Pogradec, koncert madhështor në çeljen e sezonit turistik

06/06/2015 00:00

Çelja e sezonit turistik në qytetin e Pogradecit ka vijuar me një koncert madhështor të mbajtur në sheshin “Odeon”. Qindra qytetarë pushtuan sheshin, duke ndjekur këngëtarët dhe artistët, të cilët kanë performuar për gati 3 orë, duke krijuar një atmosferë verore.

Mes ngjyrash, fishekzjarrësh dhe ritmesh të larmishme muzikore, qytetarë dhe vizitorë kanë kaluar një mbrëmje ndryshe, që ka shënuar pikënisjen e kësaj vere në qytetin turistik.

Në skenë janë ngjitur disa nga emrat më të njohur të skenës, si Vesa Luma, Big Basta dhe Dren Abazi, ndërsa nuk kanë munguar as ritmet popullore.

Pogradeci, i konsideruar si një nga destinacionet e turizmit shqiptar, tashmë ka hapur dyert e tij edhe për këtë verë, duke ofruar për turistët një kënaqësi ndryshe me liqenin, klimën e freskët, asetet kulturore dhe aktivitetet e shumta.

Këtë vit, qyteti i Pogradecit synon të rrisë shifrat e turistëve, pas avancimit të punimeve në aksin Lin-Pogradec dhe investimeve të tjera infrastrukturore.

Top Channel