Largohet nga Benfica, kalon te Sporting… Jesus kërcënohet me vdekje

06/06/2015 00:00

Lamtumirat shpesh janë të dhimbshme dhe kjo dihet. Në botën e futbollit ndodh shpesh, kur ndahen marrëdhëniet me një trajner që ka fituar shumë, e që mund të jetë konsideruar edhe “gjysmëperëndi” prej tifozerisë së një skuadre.

Por, në rastin kur trajneri në fjalë jo vetëm largohet, për më tepër kalon tek armiku yt më i betuar, lëndimi bëhet edhe më i pafundshëm, saqë mund të shkaktojë edhe pasoja të rënda. Ndonjëherë edhe të pajustifikueshëm, siç ka ndodhur në Portugali.

Protagonist i kësaj historie është bërë tekniku portugez, Jorge Jesus, i cili në moshën 60-vjeçare, 6 të fundit i ka kaluar në drejtimin e skuadrës së Benfikës së Lisbonës, me të cilët ka fituar 3 kampionate, një kupë kombëtare, 5 kupa të ligës dhe një Superkupë, vendos të largohet.

Jesus, nga mbrëmja e së premtes, ka vendosur të kryejë “hapin e madh”, duke u bërë kështu trajneri më i ri i Sportingut të Lisbonës.

Një transferim, i cili jo vetëm që ka bërë bujë, por i ka dhënë “jetë” edhe një reagimi absurd, të paparë ndonjëherë dhe tepër negativ nga ana e ish-tifozëve të tij te Benfica. Siç bën të ditur “A Bola”, e përditshme sportive portugeze, në 48 orët e fundit ai ka marrë kërcënime të pafundme me vdekje, qoftë në telefon, ashtu dhe personalisht.

Motivi? Pikërisht rivaliteti tepër i madh mes dy tifozerive të kryeqytetit të Portugalisë. Trajneri i ri i “luanëve”, siç njihet me pseudonim Sportingu, ka informuar forcat e rendit për çfarë i ka ndodhur dhe është shoqëruar urgjentisht nga punonjës të policisë.

Top Channel