Kosova, me banorë të Njësisë 3: Përmirësime në infrastrukturë

06/06/2015 00:00

Në një takim me banorët e Njësisë bashkiake numër 3, doktor Halim Kosova ka premtuar përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë. Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës tha se vetëm në këtë lagje do të rregullohen më shumë se 12 kilometra rrugë.

“Projekti parashikon ndërhyrje në sistemin e rrugës ‘Hoxha Tahsim’, nga kryqëzimi me Unazën, deri te sheshi ‘Strauss’, dhe në rrugën ‘Xhanfize Keko’, nga sheshi ‘Strauss’ deri te kryqëzimi me rrugën ‘Aleksandër Moisiu’, me gjatësi të përgjithshme 2 km. Ndërtimi i rreth 4 km linja të internet-telefonisë, me trotuarë në të dyja anët e rrugës. Sisteminin dhe përmirësimin e stacioneve të autobusëve, ku çdo stacion do të ketë me ekzaktësi edhe oraret se kur kalon çdo linjë. Për sa i takon infrastrukturës rrugore, do të kemi rikonstruksion të trotuareve dhe rrugës ‘Hoxha Tahsim’ dhe asaj ‘Xhanfize Keko’, sikurse dhe blloku që kufizohet nga rruga ‘Endri Keko’, ‘Sadik Petrela’ dhe Lana”, shpjegoi kandidati Kosova.

Doktor Kosova ka kërkuar bashkëpunimin e qytetarëve.

“Unë nuk jam një politikan i mirëfilltë, por ndoshta më shumë se çdo gjë tjetër, për këtë kemi nevojë. Nuk është se ju do të rrini dhe Bashkia do të punojë. Ne do të bashkëpunojmë dhe çelësi i suksesit ky është, që të dyja palët bashkë do të mbikëqyrin çdo centimetër rikonstruksion, çdo qindarkë të derdhur për ju, sepse vetëm kështu nuk do të ketë nga të fluturojë asnjë qindarkë”, u shpreh Halim Kosova. Të njëjtën gjë, Kosova bëri edhe me banorë të Njësisë 5, pak orë më vonë.

Top Channel