Juncker refuzon telefonatën e Tsiprasit: S’ka asgjë të re për të diskutuar

06/06/2015 00:00

Shefi ekzekutiv i Bashkimit Europian refuzoi të komentonte në lidhje me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, këtë të shtunë, pasi udhëheqësi i radikalëve të majtë grekë refuzoi kushtet “absurde” të huadhënësve ndërkombëtare, në atë që mund të konsiderohej si një marrëveshje për dhënien e parave në këmbim të reformave, për të shpëtuar vendin nga falimenti.

Një zyrtar i BE-së tha se Presidenti i Komisionit Europian, Jean-Claude Juncker, i cili është përpjekur të kapërcejë hendekun mes Athinës dhe huadhënësve të saj, refuzoi të pranonte një telefonatë nga kryeministri grek, pasi “nuk ka asgjë të re për të diskutuar”.

Një zyrtar i qeverisë greke e mohoi këtë raportim, duke thënë se Tsipras ka zhvilluar një videokonferencë mbi krizën e borxhit me Kancelaren gjermane, Angela Merkel, dhe Presidentin francez, Francois Hollande, dhe të mërkurën në Bruksel do të zhvillojë bisedime me dy udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës.

Ngërçi i pazgjidhur i borxhit, i cili po ndikon në përkeqësimin e tregjeve financiare dhe mund të godasë edhe rikuperimin e ekonomisë globale, do të varet disi nga samiti i udhëheqësve të G7-s, që do të kryesohet nga Merkel në Bavari, rajonin jugor të Gjermanisë, që do të nisë këtë të diel. Një zëdhënës gjerman tha se Tsipras nuk ishte i ftuar.

Duke qenë se koha për një marrëveshje po shkon drejt skadimit dhe se Greqia po vuan të përmbushë detyrimet e saj për pagesat ndaj huadhënësve, marrëdhëniet mes Athinës dhe BE-FMN janë kthyer tashmë në një problem.

Një zëdhënëse e KE-së tha përmes një mesazhi SMS se, “mund të konfirmoj se ka pasur një kërkesë për telefonatë. Presidenti Juncker dhe kryeministri Tsipras do të qëndrojnë sërish në kontakt në ditët në vijim, ashtu sikurse është thënë edhe në deklaratën e së mërkurës mbrëma”.

Tsipras duhej të ishte kthyer në Bruksel për më shumë bisedime gjatë së premtes por, i përballur me kritika brenda partisë së tij Syriza, shkoi në Parlamentin grek për të denoncuar kushtet e kërkuara nga kreditorët si “një mashtrim tepër i keq negociues”.

“Kryeministri grek telefonoi në orën 13:00 të së shtunës, por Juncker refuzoi, sepse nuk ka pasur asnjë progres në diskutime, ndërkohë që propozimet që Greqia kishte premtuar natën e së mërkurës, se do t’i ofronte të enjten, ende nuk kanë mbërritur”, tha një zyrtar i BE-së për agjencinë e lajmeve “Reuters”. “Nuk ka pasur asnjë zhvillim të ri, kështu që nuk ka përse të diskutohet”, tha ai.

Presidenti i Parlamentit Europian, Martin Schulz, i cili është kthyer tashmë në mbështetës të çështjes së Greqisë, shprehu gjithashtu nervozizmin e tij, duke thënë për gazetën “Passauer Neue Presse”, se “këmbëngulja e qeverisë greke është egërsuese”.

Ndërkohë, zëvendëskancelari gjerman, Sigmar Gabriel, i cili është ndër më dashamirësi ndaj Athinës nga të gjithë partnerët e tjerë konservatorë të koalicionit, paralajmëroi përmes një interviste se në Gjermani po forcohet gjithnjë e më shumë ideja e lënies së Greqisë të dalë nga Eurozona. Nëse do të ketë një marrëveshje së shpejti? “Kjo varet vetëm nga qeveria greke. Europa ka shkuar në kufijtë e limiteve të saj”.

Top Channel