Hahn i telefonon Zaevit. Sqaron problemet e dialogut ndërpartiak, të ndërmjetësuar nga BE

06/06/2015 00:00

Komisioneri i BE-së për Fqinjësinë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, zhvilloi një bisedë telefonike të premten në mbrëmje, me kreun e Lidhjes Socialdemokrate të Maqedonisë, Zoran Zaev.

Pas pakënaqësive, të shprehura një ditë më parë nga kreu i opozitës maqedonase, zyra e Hahn njofton se telefonata kishte për qëllim “të sqaronte një çështje, që lidhet me dialogun ndërpartiak të ndërmjetësuar nga BE, përtej marrëveshjes së arritur në Shkup, të martën e kaluar, më 2 qershor”.

“Komisioneri theksoi se, mbështet plotësisht dhe pa asnjë mëdyshje vlerësimin e OSBE/ODIHR mbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe ato Presidenciale të 2014-s, në ish-Republikën jugosllave të Maqedonisë”, thuhet në komunikatën e posaçme për shtyp të KE-së.

“Ai përsëriti vëzhgimet e ODIHR se, zgjedhjet u administruan me efikasitet, por pati një numër shqetësimesh serioze, përsa i takon ndarjes së paduhur mes aktiviteteve partiake dhe shtetërore; pretendimeve për intimidim të votuesve dhe anshmëri të mediave në favor të partive qeverisëse. Komisioni Europian ka shprehur gjithashtu, rregullisht, shqetësimin për saktësim të listave të votuesve. Të gjitha këto çështje duhet të trajtohen urgjentisht, në përputhje me rekomandimet e OSBE/ODIHR dhe të Komisionit të Venecias”, vijon më tej qëndrimi i ekzekutivit europian, duke ritheksuar “nevojën për hetim të të gjithë keqbërjeve potenciale, që rezultojnë në përgjimet e regjistruara, përfshirë ato që lidhen me manipulimin e zgjedhjeve”.

“Komisioneri nxit të gjithë udhëheqësit partiakë, të respektojnë angazhimet e bëra më 2 qershor për të kapërcyer krizën aktuale dhe për të vazhduar bisedimet, për gjetjen e një marrëveshjeje të shpejtë dhe të qëndrueshme, që do të trajtojë shqetësimet legjitime mbi sundimin e ligjit dhe që do të kthejë besimin publik tek institucionet shtetërore. Kjo është në interesin e të gjithë qytetarëve të vendit”, këshillon Hahn, në përfundim të deklaratës së tij, në prag të takimit të pritshëm të 10 qershorit mbi Maqedoninë.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel