Veliaj në Krrabë: Të rikthejmë banorët, përmes punësimit dhe nxitjes së turizmit

06/06/2015 00:00

Rikthimi i banorëve të larguar dhe shndërrimi i Krrabës në një zonë atraksioni për vizitorët, kanë qenë fokusi kryesor i kandidatit të mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, gjatë prezantimit të programit për këtë zonë.

“Ne jemi shumë të vetëdijshëm që në 20 vitet e fundit njerëzit kanë ikur nga Krraba për të shkuar në Tiranë. Ne duam ta kthejmë mbrapsht këtë histori. Disa prej atyre nga Tirana mund të vijnë të zhvendosen për të jetuar, për shkak të ajrit më të pastër, kushteve më të mira, cilësisë më të mirë dhe më të shëndetshme të jetës; disa mund të vijnë për të kaluar fundjavën. Por ne duhet të gjejmë arsye të ndryshme që t’i sjellim njerëzit fillimisht në Krrabë, për të parë sesa e bukur është zona dhe sa cilësi ka jeta. Ndaj duam të aplikojmë politika të kilometrit zero, e cila është ajo politikë, që i inkurajon njerëzit të lënë Tiranën për të ardhur në Krrabë, të blejnë produktet pranë një ferme apo baçeje, pra pranë një familjeje që i rrit dhe i kultivon vetë produktet organike. Jo vetëm që marrin ushqime më të mira, kalojnë edhe një fundjavë duke shpenzuar disa parà, pse jo edhe për të konsumuar produkte bio. Disa ndoshta edhe mund të ndërrojnë mendjen dhe të lënë betonin në Tiranë e të transferohen me banim këtu”, u shpreh kandidati socialist, Erion Veliaj.

Duke u ndalur te planet konkrete në Krrabë, Veliaj është zotuar për mbulimin e kësaj zone me një linjë të transportit publik, ndërtimin e ujësjellësit për fshatrat Mushqetë dhe Skuterrë, të cilave po ashtu do t’u rikonstruktohen dhe rrugët lidhëse, si dhe rikonstruksionin e rrugës që lidh autostradën Tiranë-Elbasan me Krrabën. Po ashtu, për më të rinjtë, Veliaj premtoi ndërtimin e një fushe sporti në këtë zonë.

Top Channel