Montreal, Hamilton siguron “pole position”-in, Vettel “zhduket”

06/06/2015 00:00

Provat zyrtare për të përcaktuar radhën e nisjes në garën e Çmimit të Madh të Kanadasë, në Montreal, kanë dhuruar rezultate të papritura, por edhe disa të parashikueshme.

Piloti gjerman, 4 herë kampion bote, Sebastian Vettel, pasi kishte lavdëruar sistemin e ri motorik të “kokëkuqeve” menjëherë pas sesionit të dytë të provave të lira të ditës së premte, befas eliminohet që në minisesionin e parë të provave zyrtare, duke u renditur në vendin e 15.

Mësohet se shkak janë bërë disa probleme elektrike në njëvendëshen e tij, vetëm pak minuta nga nisja e zyrtareve të sotme. Makina u parkua shumë herët në bokset e skuderisë, një punë e madhe e mekanikëve për të kuptuar problemin, por edhe pas daljes së fundit të pilotit në pistë nuk u sigurua ajo kohë e duhur, që do t’i mundësonte atij të pretendonte për vendet e kreut në minisesionet e tjera.

Pas dy përpjekjeve, Vettel u ndal në vendin e 16, por do të niset i 15-ti, për shkak të ndëshkimit të Verstappen. Një garë tepër “malore” për gjermanin ajo e së dielës, që do të nisë në orën 20:00 dhe do të transmetohet drejtpërdrejtë në Top Channel dhe Top Channel HD.

Sa i përket provave zyrtare, Hamilton lë pas krahëve gjermanin tjetër Rosberg, duke vulosur vijën e parë nën supremacinë e Mercedesëve, ndërsa Raikkonen i ndjek nga pas në vendin e 3-të. Në krah të tij Bottas. Ndërsa vija e tretë do të përbëhet nga Grosjean e Maldonado. Në dhjetëshe janë edhe Hulkenberg, Kvyat, Ricciardo dhe Perez. Alonso në vendin e 13.

Top Channel