Pas shumë tensioneve në skenën politikë, në art, Kosova prezantohet edhe një herë në Serbi.

“Mirëdita, Dobar Dan”, një festival që paraqet teatrin, artin figurativ, muzikën, letërsinë dhe debatet me temat që ngarkojnë këto marrëdhënie, është organizuar për herë të dytë në Serbi.

Festivali mund të afrojë shqiptarët dhe serbët, por edhe kthen shqipen në qendrat e artit në kryeqytetin serb.

Filmi i regjisorit Isa Qosja, “Tri dritare dhe një varje”, është pritur me interesim të madh nga publiku dhe ka nisur rrugën e prezantimit.

“Unë mendoj se duhet të kemi të tilla organizime, me qëllim që të thyejmë disa paragjykime që ne kemi ndaj popullit serb në përgjithësi, por sigurisht më shumë populli serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, të cilët nuk i njeh fare. Mendoj se këto shkëmbime ndërkulturore kontribuojnë për mirë”, u shpreh Shkumbin Istrefi, producent.

“Një nismë shumë e mirë, pasi kështu mundemi të fillojmë së paku me anë të kulturës, pasi disa të tjerë nuk duan, me diçka shumë fisnore të fillojmë një komunikim të shëndoshë”, deklaroi aktorja Irena Cahani.

Por edhe për serbët, kjo paraqitje e Kosovës nënkupton krijimin e një nyje të re, në lidhjet që janë shkëputur prej dekadash.

“Ne po mundohemi të shohim çfarë ka përtej asaj, që ne dimë, dhe përtej atyre mureve, që na ndajnë”, tha Dragan Popoviç, nga “Nisma qytetare”.

Përveç filmit e teatrit, është mbajtur edhe një koncert i Edona Reshitaj. Megjithatë, gjithmonë në këto ngjarje ndodh të ketë edhe histori nga e shkuara.

Top Channel