Skandali i FIFA-s, detajohen pagesat e FIFA-s për ish-zv.presidentin Jack Warner

07/06/2015 00:00

Skandali i korrupsionit që ka goditur FIFA-n, institucionin më të lartë drejtues të futbollit botëror, sa vjen e po detajohet edhe më shumë me prova të dala nga investigime të ndryshme, siç është edhe ai i ndërmarrë nga BBC, që ka zbuluar dokumente që bëjnë të ditura se çfarë ka ndodhur me 10 milionë dollarët e dërguara nga FIFA drejt llogarive të kontrolluara prej ish-zëvendëspresidentit Jack Warner.

Paratë, të cilat janë dërguar në emër të Afrikës së Jugut, kishin për synim të përdoreshin në një program për diasporën e vendit afrikan në vendet e Karaibeve, në Amerikën Qendrore. Por, disa dokuemente zbulojnë se Warner i ka shfrytëzuar këto pagesa për tërheqje “cash”, huadhënie personale dhe për pastrim parash.

72-vjeçari, i cili është akuzuar nga Byroja Federale e Investigimit (FBI) për korrupsion, i mohon të gjitha akuzat, duke mos pranuar të ketë bërë ndonjë gjë të paligjshme.

Dokumentet e zbuluara nga BBC tregojnë me detaje tre transferta brenda rrjetit të bëra nga FIFA. Në të treja ato – transaksione të kryera më 4 janar, 1 shkurt dhe 10 mars të vitit 2008, – shuma totale arrin në 10 milionë dollarë, të transferuara nga llogaritë e FIFA-s drejt llogarive të vendeve anëtare të CONCACAF, organizmi më i lartë drejtues i futbollit për Amerikën Veriore dhe Qendrore, që kontrollohej prej Jack Warner, si president i CONCACAF-it.

Paratë në fjalë ishin premtuar nga Federata e Futbollit të Afrikës së Jugut për të ashtuquajturën program për “trashëgiminë në diasporë”, për të zhvilluar futbollin në Karaibe. Dokumentet në fakt tregojnë sesi janë shpenzuar paratë dhe si janë transferuar më pas.

Rrjeti i supermarketeve “JTA” në Trididad dhe Tobago ka përfituar 4 milionë e 860 mijë dollarë nga llogaritë e FIFA-s. Paratë janë paguar pjesë-pjesë nga janari 2008 deri në mars 2009. Shuma më e madhe është kryer në shkurt të 2008-s, me plot 1 milion e 350 mijë dollarë.

Prokurorët amerikanë thonë se paratë, më së shumti i janë kthyer mbrapsht Warnerit në monedhën lokale. BBC publikon gjithashtu edhe detaje të hetimit ndaj Brent Sancho, ministër i Sporteve dhe ish-futbollist i Trinidad dhe Tobago.

Në dokumente vërehet gjithashtu se 360 mijë dollarë nga paratë e FIFA-s janë tërhequr nga persona të lidhur me Warnerin. Rreth 1,6 milionë dollarë janë shfrytëzuar për të shlyer kartat e kreditit dhe huatë personale të marra prej ish-zëvendëspresidentit të FIFA-s; ku huaja më e madhe kapte shifrat e 410 mijë dollarë, e marrë për veten e tij, ndërsa pagesa më e madhe me kartë krediti ka qenë 87 mijë dollarë.

Jack Warner është njëri prej 14 personave të akuzuar nga prokurorët amerkanë të skandalit më të fundit të korrupsionit në FIFA. Departamenti amerikan i Drejtësisë pretendon se 14 individët kanë pranuar ryshfete në vlerën prej rreth 150 milionë dollarë përgjatë një periudhe 24-vjeçare.

Warner është dorëhequr nga Komiteti Ekzekutiv i FIFA-s dhe nga të gjitha angazhimet e tjera me futbollin në vitin 2011, për shkak të pretendimeve se ai kishte dhënë ryshfet ndaj federatave të vendeve të Karaibeve. Ai u dorëhoq më pas edhe nga posti i ministrit të Sigurisë së Trinidad dhe Tobagos, për shkak të një hetimi për mashtrim.

FOTO GALERI
1/5
Detajet e shumave të përfituara nga Jack Warner

Top Channel