Kosova, në Njësinë 8: Kundërshtarët manipulojnë sondazhet. Deklaratat e Ramës, në votë kundër

07/06/2015 00:00

Doktor Halim Kosova i ka cilësuar sondazhet si të manipuluara nga kundërshtarët politikë.

“E kush do të paguajë 200-300 mijë euro nga xhepi, për të ditur se kush është i pari, i dyti apo i treti. Kush është ai që paguan, për ta ditur dy javë përpara se kush do të fitojë? Më mirë presim të vijë dita dhe e shikojmë. Vetëm ai që do të manipulojë diçka, vetëm ai që e sheh veten keq, i nxjerr lekët nga xhepi për të paguar dhe manipuluar banorët e Tiranës. Por kurrë, asnjë nuk do t’ia arrijë, që duke paguar mbi dorë dhe nën dorë, të ndryshojë vendimin historik ndoshta për vendin, të banorëve të Tiranës, që më shumë se kudo, ndershmëria dhe prova në jetë për punë në ndihmë të komunitetit, do të jetë shumë herë më e vlefshme, sesa njerëz të parafabrikuar në zyra partiake”, u shpreh kandidati Kosova.

Kandidati i së djathtës për kryeqytetin tha se, deklaratat e kryeministrit do t’i kthehen në vota kundër.

“Cila është ajo grua dhe ajo familjare, që ti t’i përdhosësh burrin dhe ajo të të japë votën. Nuk ka mundësi kurrë. Burri është shtylla dhe krenaria e shtëpisë. Nuk po them se të gjithë janë të përsosur, kanë edhe gabime. Por si mund t’ia ofendosh burrin, kryefamiljarin familjes shqiptare? Është e papranueshme. Edhe kjo do t’i kthehet në votë kundër, ta keni të sigurt”, deklaroi më tej Kosova.

Në Njësinë 8, Kosova ka premtuar rehabilitimin e 6 rrugëve kryesore të kësaj zone, si dhe përmirësime të ndjeshme në infrastrukturë.

Top Channel