Basha, në Pogradec. Akuzon qeverinë për premtime të pambajtura

07/06/2015 00:00

Kreu i opozitës, Lulzim Basha ka akuzuar qeverinë për shkeljen e premtimeve të shumta, që bënë për shëndetësinë, punësimin, legalizimet etj.

Nga qyteti i Pogradecit, ku ka marrë pjesë në prezantimin e programit të kandidatit Eduart Kapri, Basha është shprehur se dyshja Rama-Meta nuk flasin për punësime, sepse i mbyllën ato, premtuan shëndetësi falas, e sot kanë abuzuar me to, sepse kanë futur duart në fondin e ilaçeve të rëndësishme për jetën.

Basha është ndalur edhe te ndryshimet në qytetin e Pogradecit, që sipas tij janë dëshmi e veprimeve të kundërta, me ato që u premtuan.

Në prezantimin e programit të tij për Pogradecin, kandidati Eduard Kapri theksoi se, prioritet i programit të tij mbetet përmirësimi i jetës sociale, infrastruktura, mirëmbajtja e rrugëve urbane dhe rurale, sistemimi i kanalizimeve dhe ujit të pijshëm.

Përdorimi i burimeve alternative për energjinë dhe krijimi i landfillit për riciklimin e mbetjeve do të kenë një vëmendje të veçantë nga Bashkia, nën drejtimin e tij.

Top Channel