Programi i Veliajt për Farkën

07/06/2015 00:00

Nga Farka, ku paraqiti programin e tij për këtë zonë, Erion Veliaj u shpreh se me daljen në skenë të Sali Berishës në këtë fushatë, u shfaq fytyra e vërtetë e Partisë Demokratike.

“Duhet t’i jemi mirënjohes Saliut që doli në skenë sepse edhe po të kishte ndonje naiv që mendonte që këta janë ca të tjerë, që mendonte që këta janë ca burra të mirë dhe nuk janë si Saliu, me Lulin dhe me Zenin, dalja e Saliut na provoi të gjithëve që janë po ata, është e njëjta familje, është i njëjti SHQUP, janë të njëjtët njerëz që na çuan në humnerë”, tha Veliaj.

Duke u ndalur tek programi i kundërshtarit të tij, kandidati i mazhorancës për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, ka vënë në dukje kopjimin që po bëjnë, por duke e cilësuar edhe këtë gjë si komplimentin më të madh që mund t’i bëhet: “Ka një diferencë shumë të madhe midis nesh dhe kopjacëve. Kopjacët e kishin 4 vjet në dorë për t’i bërë të gjitha këto gjëra dhe nuk i bënë. Ne kemi etjen që 4 vitet e ardhshme t’i bëjmë të gjithë këto gjëra”.

Duke u ndalur te programi për Farkën, Veliaj vuri në dukje se edhe pse në letër është komuna më e pasur, ka mungesa të theksuara në infrastrukturë: “Edhe pse më të pasurit e Tiranës janë zhvendosur në Farkë, kemi lagje brenda Farkës me një infrastrukturë të degraduar. Kemi në plan të ndërhyjmë për ta rregulluar këtë gjë”.

Top Channel