Durrës, Duma: T’u rikthejmë të rinjve statusin e studentit

07/06/2015 00:00

Kandidatja opozitare për Bashkinë e Durrësit, Grida Duma, është ndalur në një takim me të rinjtë e qytetit të Durrësit, të cilëve i ka shpalosur projektin e saj për t’u rikthyer statusin e studentit, në mënyrë që të gjallërohet jeta e qytetit bregdetar.

Nga ana e tyre, grupet e organizatave rinore i kanë propozuar kandidates Duma një kontratë sociale, mbi nevojat e të rinjve durrsakë.

Pjesë e programit të kandidates opozitare janë edhe shërbimet për studentët përmes kartës së studentit, përfshi këtu çmime më të reduktuara, transport falas, etj., si dhe ndërtimin e bibliotekës dhe një qendre bashkiake për ta.
 
“Për çfarë kanë nevojë studentët, që domosdoshmërisht duhet t’ua japim, përpara se të flasim për tregun e punës? Kanë nevojë për statusin e studentit. Është status dinjitoz të jesh student dhe jeta e një qyteti varet nga jeta e studentit. Karta e studentit duhet të ketë një paketë shërbimesh, siç i ka në gjithë botën. Duhet të ketë 30% ulje në disa bare dhe restorante, ku duhet të shkoni, që Bashkia e ka shumë të thjeshtë ta bëjë. Duhet të keni gjithmonë hyrje falas në të gjitha institucionet publike të artit dhe kulturës. Do të bëjmë dhe kinema dimërore, ndërsa kinema verore do kemi 7 nëpër qytet. Karta e studentit do ketë 4 shërbime ekonomike: Mencën tuaj, ku do të hyni me gjysmë çmimi; ambientet sportive, dhe patjetër transportin publik, sepse sot është turp, që keni vështirësi të merrni një abone. Të ndërtojmë afër korpusit Biblotekën e madhe, që do të jetë online. Kemi sot një ide për një godinë 4-katëshe, ku në katin e fundit të jetë pikërisht Agjencia e Kërkimit dhe në 3 katet e para të jenë klubet rinore”, tha Grida Duma.

Në fund të takimit, Duma firmosi konkratën sociale të propozuar nga organizatatat rinore, që ishin pjesë e projektit “POP 2015 – Përballja e ofertave politike”, ku janë propozuar prioritetet e të rinjve prej vetë atyre.

Top Channel