Haki Çako i drejtohet Policisë Kufitare: Jeni imazhi i policisë

07/06/2015 00:00

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, zhvilloi një takim me drejtuesit e Drejtorisë Rajonale Korçë dhe të pikave të kalimit kufitar që mbulon kjo drejtori, e më pas me efektivat e Policisë Kufitare të Kapshticës.

“Jeni fytyra dhe imazhi i policisë. Kontakti i parë me turistin, emigrantin, biznesmenin, me cilindo që hyn në vendin tonë nëpërmjet pikave të kalimit. Mos lini shije të keqe që në kontaktin e parë tek qytetarët, mos dëmtoni imazhin e policisë dhe të vendit. Ofroni shërbim cilësor e të kulturuar për qytetarët, turistët e vizitorët”, tha Çako duke iu drejtuar efektivëve të Policisë Kufitare.

Drejtori i Policisë së Shtetit u bëri thirrje edhe për luftë ndaj korrupsionit: “Luftoni korrupsionin brenda radhëve tuaja. Ai që jep rryshet dhe ai që merr rryshfet dënohet njëlloj. Me korrektësinë tuaj do të bëni që edhe qytetari të ndërgjegjësohet se shërbimi policor nuk është rryshfet, as shitet e as blihet, por është obligim e detyrë parësore e policisë për qytetarin”.

Në lidhje me fluksin që pritet për sezonin veror, Çako theksoi se duhen marrë “masa në burime njerëzore e infrastrukturë për të përballuar sezonin turistik”.

“Bashkëpunoni me homologët tuaj në pikën kufitare greke për t’ju krijuar në raste fluksi të gjitha lehtësirat ligjore në lëvizjen e emigrantëve, turistëve, vizitorëve e gjithë qytetarëve që qarkullojnë nëpërmjet pikave të kalimit”.

Top Channel