Turqi, vendi në zgjedhje parlamentare; kurdët shumë pranë pragut elektoral

07/06/2015 00:00

Populli turk ka nisur të votojë këtë të diel për zgjedhjet parlamentare, të cilat konsiderohet si më të ashprat për nga rivaliteti në më shumë se një dekadë, zgjedhje që mund t’i hapin rrugë Presidentit Reep Tayyip Erdogan për më shumë pushtet, ose t’i japin fund regjimit njëpartiak 12-vjeçar në pushtet, pikërisht partisë AK të themeluar prej tij.

Një incident vdekjeprurës, pas dy shpërthimeve radhazi në juglindjen e dominuar prej minoritetit kurd, ditën e premte, kanë shtuar vëmendjen ndaj opozitës prokurde, e cila është duke u përpjekur të hyjë në Parlament me partinë e saj për herë të parë. Përpjekjet për t’i dhënë fund një kryengritjeje prej 3 dekadash të kurdëve, ashtu si dhe ambicieve politike të Erdoganit, mund të varen pikërisht në fatet e kësaj partie.

E megjitha, politikani më popullor dhe më përçarës i Turqisë, Erdogan synon një mazhorancë të theksuar për partinë e tij në pushtet, AK, për të forcuar edhe më shumë pushtetin e tij si President. Ai ka bërë të ditur se është tepër e nevojshme një Presidencë të stilit ekzekutiv si në SHBA, për të forcuar influencën rajonale dhe përparimet ekonomike të Turqisë, një vend anëtar i NATO-s.

“Ata thonë se, ‘nëse Erdogan merr çfarë dëshiron të dielën, do të bëhet i pandalshëm’, por aktualisht janë duke nënkuptuar që Turqia do të bëhet e pandalshme”, tha ai gjatë një mitingu në provincën verilindore të Ardahanit, të shtunën.

Në pushtet që prej vitit 2002, partia AK pritet sërish të ruajë superioritetin e saj si më e madhja deri më tani. Por, nëse do të sigurojë apo jo një mazhorancë të theksuar, kjo varet nga Partia Popullore Demokratike (HDP) prokurde, e cila synon të tejkalojë pragun elektoral prej 10%, të nevojshëm për të hyrë në Parlament. Sipas sondazheve, ajo është shumë pranë këtij niveli.

Qendrat e votimit u hapën në 10 të mëngjesit dhe një pjesë e mirë e 54 milionë votuesve nisën të votonin qysh herët.

Prioriteti kryesor i HDP-së është t’i japë fund konfliktit mes Ankarasë dhe Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit (PKK), e cila rrëmbeu armët në vitin 1984 në një kryengritje që la të vdekur 40 mijë persona. Udhëheqësi i burgosur i PKK-së, Abdullah Ocalan, dhe përfaqësues të qeverisë nisën bisedimet për paqe përpara më shumë se 2 vitesh, por avancimi i këtij procesi mund të varet shumë nga rezultati i këtyre zgjedhjeve.

Vendvotimet do të mbyllen në 16 të pasdites. Rezultatet e para priten të shpallen në orën 20 të darkës, edhe pse autoritetet mund të heqin ndalimin e raportimit të rezultateve edhe më herët sesa kaq.

Top Channel