Samiti i G7, Greqia e Ukraina “lënë në hije” axhendën e Merkelit

07/06/2015 00:00

Udhëheqësit nga grupi i 7 vendeve më të industrializuara të botës mblidhen këtë të dielë në alpet bavareze, rajonin jugor të Gjermanisë, në një samit që do të fokusohej në çështje të rëndësisë globale, por që duket se do të lihen disi në hije për shkak të dy problematikave të tjera si kriza e borxhit grek dhe dhuna e vazhdueshme në Ukrainë.

Mikpritësja, Angela Merkel, shpreson të sigurojë angazhimet e të gjithë të ftuarve nga G7 për të luftuar ngrohjen globale, si dhe për të arritur një akord mes të gjithëve, përpara se të zhvillohet një samit madhor i Kombeve të Bashkuara, në Paris gjatë dhjetorit të ardhshëm.

Axhenda e takimit gjerman parashikon gjithashtu diskutime mbi çështjet globale të shëndetësisë, nga Ebola deri te antibiotikët dhe sëmundjet tropikale. Por, mbrëmjen e së premtes, përpara sesa Kancelarja gjermane të mirëpriste udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Kanadasë, Francës, Italisë, Japonisë dhe Shteteve të Bashkuara; ajo dhe Presidenti Francois Hollande u detyruan të zhvillonin një bisedë urgjente telefonike, e katërta në 10 ditët e fundit, me kryeministrin grek, Alexis Tsipras, në përpjekje për të zgjidhur ngërçin mes Athinës dhe huadhënësve të saj ndërkombëtarë.

Dy palët janë grindur prej muajsh në lidhje me kushtet e një marrëveshjeje për dhënien e ndihmave financiare Greqisë në këmbim të reformave. Pa siguruar këto ndihma nga partnerët e Eurozonës dhe FMN-së, Greqia do të dështojë të përmbushë detyrimet e saj dhe të paguajë këstet e borxheve të marra deri më tani brenda pak javësh, duke e detyruar ndoshta atë të dalë nga blloku i monedhës së përbashkët europiane, Euro.

Ndërkaq, përshkallëzimi i dhunës në Ukrainën lindore do të luajë gjithashtu një rol kyç në takimin që do të mbahet në “Schloss Elmau”, një hotel luksoz i ngritur në malet piktoreske të jugut të Gjermanisë, pranë kufirit me Austrinë.

Vëzhguesit europianë kanë fajësuar për gjakderdhjen separatistët e mbështetur nga Rusia, ndaj dhe udhëheqësit mund të vendosin në këtë samit edhe dërgimin e një mesazhi të fortë ndaj Presidentit Vladimir Putin, i cili është lënë jashtë pjesëmarrjes në atë që duhej të ishte G8, që prej aneksimit të Krimesë nga Ukraina vitin e kaluar.

Përpara takimit, mijëra protestues kundër këtij samiti kanë marshuar në Garmisch-Partenkirchen, ditën e shtunë. Ka pasur përplasje sporadike mes tyre dhe policisë, ndërsa raportohen disa prej marshuesve të plagosur dhe të dërguar nëpër spitale, por dhuna ka qenë e një shkalle më të ulët krahasuar me samitet e mëparshme.

Gjermania ka vendosur rreth 17 mijë policë përreth qytetit resort, ku dikur janë mbajtur edhe Lojërat Olimpike Dimërore, në rrëzë të malit më të lartë të Gjermanisë, Zugspitze. Rreth 2000 forca të tjera janë në ruajtje të kufirit me Austrinë.

Merkel pritet të zhvillojë bisedime me Presidentin amerikan, Barack Obama, mëngjesin e kësaj të diele, përpara se të fillojë samiti; ku do të diskutohet për Ukrainën, trazirat në Lindjen e Mesme, dhe marrëveshjen e tregtisë së lirë “TTIP”, e cila po negociohet mes Uashingtonit dhe Bashkimit Europian, çështje këto në krye të axhendës mes këtyre dy vendeve.

Obama mund të interesohet gjithashtu edhe për zhvillimet e fundit të bisedimeve greke, nga këndvështrimi i Merkelit. Zyrtarë në Uashington, të shqetësuar nga fakti se “Grexit” mund të godasë edhe ekonominë globale, kanë përshkallëzuar presionin ndaj homologëve të tyre europianë gjatë javëve të fundit për të arritur një marrëveshje.

“Mendoj se të pritet deri në ditën e fundit apo të parafundit të afatit përfundimtar, është thjesht një mënyrë e ballafaqimit me një aksident të mundshëm”, tha Sekretari amerikan i Thesarit, Jack Leë, gjatë takimit të ministrave të Financave të G7-s, në qytetin lindor të Dresdenit javën e kaluar.

Ditën e hënë, samiti pritet të diskutojë gjithashtu edhe mbi kërcënimet e militantëve nga grupe si Shteti Islamik apo Boko Haram, edhe me udhëheqës të shteteve të Nigerisë, Tunizisë dhe Irakut, pjesë e grupit “shtesë” jo pjesëmarrëse në G7.

Merkel do të fokusohet fuqishëm në bisedimet për klimën, pasi fitoi lëvdata në vitin 2007, kur organizoi një takim të G8-s atëherë në brigjet baltike, duke bindur paraardhësin e Obamas, George W. Bush t’u bashkohej udhëheqësve të tjerë në angazhimet për të luftuar ngrohjen globale.

Top Channel