Maqedoni, dokumenti i MPJ-së: Ndrecaj dhe Rizaj figurojnë të arrestuar

07/06/2015 00:00

Në mediat maqedonase qarkullon një dokument i publikuar në gjuhën shqipe, në të cilin bëhet e ditur se dy prej viktimave të ngjarjes së Kumanovës, Mirsad Ndrecaj dhe Beg Rizaj, rezultojnë të arrestuar nga policia maqedonase e jo të vrarë.

Vërtetësinë e këtij dokumenti e ka konfirmuar edhe Ministria e Jashtme e Maqedonisë, teksa ka publikuar edhe versionin e tij në gjuhën maqedonase, me të cilin kjo ministri ka informuar edhe Ambasadën e Kosovës në Shkup. Në të konfirmohet se mes personave të arrestuar nga policia maqedonase gjenden edhe Ndrecaj dhe Rizaj, të cilët më vonë rezultuan si të vrarë gjatë shkëmbimit të zjarrit.

“Ajo ishte listë një listë paraprake e të gjithë të identifikuarve dhe ne, si Ministri e Jashtme, e kemi marrë për plotësim të mëtejshëm. Atë e përcollëm edhe tek Ambasada e Kosovës në Shkup”, thuhet në përgjigjen e zëdhënësit të Ministrisë së Jashtme.

Në fakt, në këtë listë paraprake – siç e quan kjo ministri, – nuk figurojnë emrat e 8 personave të tjerë, që humbën jetën gjatë aksionit policor në Kumanovë, por vetëm emrat e Mirsad Ndrecajt dhe Begë Rizajt.

Ndërkohë, ambasadori i Kosovës në Maqedoni, Ylber Hysaj, ende nuk është prononcuar lidhur me këtë dokument që i është adresuar atij, e ku thuhet se, si “Komandant NATO” edhe “Komandant Begu” janë të arrestuar.

Ky dokument i Ministrisë së Jashtme mban datën 12 maj, ndërsa një ditë më vonë, përmes një komunikate zyrtare për mediat, Ministria e Brendshme e Maqedonisë i shpalli të vrarë Mirsad Ndrecajn dhe Beg Rizajn.

FOTO GALERI
1/1
Dokumenti zyrtar në gjuhën maqedonase, dërguar Ambasadës së Kosovës në Shkup

Top Channel