Skandali me ilaçet, LSI-ja shkarkon kreun e Elbasanit

07/06/2015 00:00

Lëvizja Socialiste për Integrim shkarkoi dhe përjashtoi kryetarin e Elbasanit, pas arrestimit të tij në lidhje me skandalin e rimbursimit të ilaçeve. LSI-ja kërkoi hetimin deri në fund të çështjes.

“Dënojmë me forcë çdo akt abuzimi dhe shpërdorimi të kujtdo që rezulton i implikuar. Gjithashtu, inkurajojmë prokurorinë dhe gjykatën të bëjë një hetim të plotë të kësaj skeme korruptive, duke ndëshkuar me forcën e ligjit këdo që është i përfshirë, pavarësisht emrit”, tha Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama.

Ndërkohë, Rama akuzoi edhe kandidaten e PD-së në Shkodër dhe iu referua denoncimeve në media për ndarjen e parave në fushatën e saj.

“Denoncojmë me forcë dy standardet që aplikon lidershipi i Partisë Demokratike. Se sa e pavlerë është filozofia e dyfytyrësisë dhe e shpifjeve të PD-së, provohet nga ajo që kanë publikuar mediat se ajo që PD-ja akuzon të tjerët se bëjnë, në fakt e bën vetë”, tha Luan Rama.

Reagon shtabi i Voltana Ademit

Pas akuzave të Lëvizjes Socialiste për Integrim, shtabi elektoral i kanidates demokrate në Shkodër, Voltana Ademi, reagoi duke treguar si po i blen votat LSI-ja në qytetin verior.

“LSI-ja po blen votën e të rinjve me anë të kuponave që janë të barazvlefshëm me një palë xhinse. Shpërndajnë shuma të mëdha parash çdo ditë në zyrat e tyre elektorale me synim blerjen e votave. Pa nisur ende fushata ishin prodhuar mbi 700 karta identiteti fallco për t’u përdorur në Shkodër, por vullneti i lirë i shkodranëve nuk mund të klonohet e as të falsifikohet. PS-ja, LSI-ja dhe kandidatja e tyre shpresojnë që me manipulime të gënjejnë shkodranët”, tha Bujar Hoti, nënkryetari i PD-së në Shkodër.

Top Channel