G7, Obama: Ta nisim me qëndrimin ndaj Rusisë; Tusk: Sanksionet? Duhen ashpërsuar

07/06/2015 00:00

Presidenti amerikan, Barack Obama, u ka bërë thirrje udhëheqësve të G7-s, të cilët janë mbledhur në alpet e Bavarisë në një samit dyditor, duke nisur nga sot (e diel), që t’i nisin diskutimet me qëndrimin që duhet të mbajnë ndaj agresionit rus në Ukrainë, për shkak të përshkallëzimit të dhunës.

Ende pa filluar mirë samiti i kombeve më të industrializuara të botës, përjashtuar Rusinë që pas aneksimit të Krimesë nga Ukraina, Kancelarja Angela Merkel mirëpriti Presidentin Obama në qytetin piktoresk të alpeve bavareze, Kruen, të rrethuar nga vendas me veshje tradicionale, duke pirë birra dhe duke ngrënë peshq.

Merkel shpreson të sigurojë angazhimin e të gjithë pjesëmarrësve të ftuar të saj, kryesisht për të luftuar ngrohjen globale, duke arritur në një pikë suksesi përpara samitit madhor të Kombeve të Bashkuara, që do të zhvillohet në Paris dhjetorin e këtij viti. Axhenda gjermane përmban edhe diskutime për çështje globale të shëndetësisë, por kriza e Ukrainës dhe borxhi grek pritet të lënë disi në hije atë që kishte parashikuar si parësore nga Merkel.

Obama u tha udhëheqësve se duhet të diskutojnë mbi ekonominë globale, partneritetin tregtar dhe “qëndrimin ndaj agresionit rus në Ukrainë”, ashtu sikurse dhe kërcënimet nga ekstremizmi i dhunshëm dhe ndryshimet klimatike. Së bashku me Merkel, ai nënvizoi rëndësinë e një partneriteti gjermano-amerikan, i dëmtuar disi vitet e fundit nga zbulimet se SHBA-të kanë përgjuar Gjermaninë, përfshi edhe telefonin celular të vetë Kancelares.

“Mesazhi im ndaj popullit gjerman është i thjeshtë: jemi mirënjohës për partneritetin tuaj, për udhëheqësit tuaj”, tha Obama, duke përdorur gjithashtu edhe shprehjen tradicionale bavareze “Grüss Gott” (Mirëdita). “Ne qëndrojmë në krah të njëri-tjetrit si aleatë të pandashëm në Europë dhe anembanë botës”.

Merkel aludoi për “dallime”, por i përshkroi Shtetet e Bashkuara si “mikun tonë” dhe një “partner thelbësor”.

Në konferencën për shtyp me Juncker, Presidenti i Këshilli të Europës (KiE), Donald Tusk, tha se shpresonte që G7 të prezantojë një front të bashkuar sanksinesh të reja ndaj Rusisë, duke shtuar:

“Nëse dikush kërkon të nisë bisedimet në lidhje me ndryshimin e regjimit të sanksioneve, kjo duhet bërë vetëm në kahun e shtimit dhe ashpërsimit të tyre”.

Udhëheqësit dhe reporterët e medieve të huaja janë shoqëruar deri në vendin e samitit me helikopterë, mëngjesin e së dielës, pasi protestuesit kishin bllokuar rrugën kryesore që të çonte në “Schloss Elmau”.

Top Channel