Lindje e Mesme, Izraeli godet Gazën. Shënjestrër, një vendtrajnim i Hamasit

07/06/2015 00:00

Avionët luftarakë izraelitë kanë goditur pjesën veriore të Rripit të Gazës gjatë së dielës, në kundërpërgjigje të një rakete të lëshuar prej territorit të kontrolluar nga Hamasi, që ra goditi jugun e Izraelit një ditë më parë.

Lajmi është bërë i ditur nga ushtria izraelite, e cila të shtunën sqaroi se raketa kishte rënë në një fushë të hapur dhe nuk kishte shkaktuar ndonjë dëm madhor apo të plagosur. Megjithatë, edhe nga sulmi ajror i Izraelit nuk raportohet asnjë viktimë deri më tani, edhe pse ai shënjestroi një vend ku stërviten militantë të Hamasit.

Në deklaratën e lëshuar nga një zëdhënës i ushtrisë izraelite lexohet se sulmi ajror kishte për objektiv “infrastrukturën e terroristëve në veri të Rripit të Gazës. Goditjet në shenjë janë konfirmuar”.

Lëshimet sporadike të raketave nga Gaza, gjatë javëve të fundit, kanë prishur qetësinë midis dy kufijve në Lindjen e Mesme, që prej luftës 50-ditore të Izraelit kundër Hamasit, e cila mori fund me paqen e ndërmjetësuar nga Egjipti, gushtin e vitit të kaluar.

Sirenat e një “sulmi” ajror u dëgjuan në zonën e Ashkelonit, një qytet rreth 10 km në veri të Gazës, me një popullsi prej rreth 120 mijë banorësh.

Një grup xhihadistësh salafi, i mbiquajtur “Omar Brigades” dhe simpatizantë të Shtetit Islamik, morën përsipër përgjegjësinë për lëshimin e raketës në Ashkelon, por edhe lëshimet sporadike të ditëve të fundit.

Grupi xhihadist tha se raketa e rënë në Ashkelon ishte në shenjë solidariteti me të burgosurit palestinezë të mbajtur në burgjet izraelite, si dhe anëtarëve të tyre të burgosur në burgjet e kontrolluara prej Hamasit, në Gaza.

“Hebrenjtë nuk do të shijojnë kurrë mbrojtje dhe siguri, për sa kohë që ne të jemi gjallë”, thuhej në deklaratën e xhihadistëve.

Top Channel