PD-ja përsërit thirrjen ndaj mazhorancës të nënshkruajë marrëveshjen e dekriminalizimit

07/06/2015 00:00

Partia Demokratike, nëpërmjet deputetit Oerd Bylykbashi, përsëriti të dielën kërkesën e saj drejtuar mazhorancës për nënshkrimin e marrëveshjes së dekriminalizimit.

“Partia Demokratike ka denoncuar me fakte të pakundërshtueshme se në këto zgjedhje garojnë kandidatë me rekorde të tmerrshme kriminale dhe ka kërkuar e kërkon prej dy muajsh nga dyshja Rama-Meta zbatimin e rezolutës së 24 dhjetorit për dekriminalizimin e kandidaturave të 21 qershorit dhe të politikës në përgjithësi. Siç informuam opinionin publik pak ditë më parë, Partia Demokratike i ka propozuar zyrtarisht përfaqësuesve të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim nënshkrimin e një marrëveshjeje politike që do të mundësonte mosgarimin në zgjedhjet e 21 qershorit të personave me rekorde kriminale. Kjo marrëveshje mundëson verifikimin e kandidatëve të dyshuar dhe nëse rezultojnë me rekorde të rënda kriminale apo refuzojnë të verifikohen, përjashtimin e këtyre kandidatëve nga kandidimi”, tha Bylykbashi.
 
Deputeti demokrat shtoi: “Ripërsërisim sot thirrjen ndaj përfaqësuesve të qeverisë që të demonstrojnë vullnet‎ politik dhe t’i hapim rrugën dekriminalizimit të zgjedhjeve vendore. Është në interesin e çdo shqiptari, pavarësisht prej bindjeve politike, që persona me rekorde kriminale të mos garojnë për funksionet e larta publike të të zgjedhurve vendorë”.

Top Channel