Basha: Do të ulim taksat dhe stimulojmë biznesin që të hapë vende pune

07/06/2015 00:00

Në tregun e Korçës, që njihet si një nga zonat me prodhimin më të lartë në vend dhe me njerëz punëtorë, tregtarët iu ankuan kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, për rënie të ndjeshme të fitimeve. Si shkak kryesor, ata renditën rritjen e taksave dhe të çmimit të energjisë elektrike.

Edhe në Ersekë, qytetarët u ankuan për papunësi, tregtarët për mbyllje dyqanesh, ndërsa kryetari i opozitës denoncoi presionet qeveritare për të kërcënuar, sipas tij, kandidatin e opozitës. Ndërsa në Devoll, kreu i Partisë Demokratike aludoi për të kaluar kriminale të kandidatit të koalicionit qeveritar, kur i kërkoi Edi Ramës të prononcohet për identitetin e dyfishtë të kandidatit të tij.
 
“Po i them kryeministrit, ore këtë kandidatin tënd, di gjë se çfarë e ke!? Po si e ka emrin njëherë, Beni apo Koço? Po babai si e ka, Panajot apo Xhek? A ka pyetur pse e ka ndërruar emrin? Me gënjeshtra e trafiqe do ecë përpara ky vend? Ky vend do ecë përpara me Bledionin, me rininë, me të vërtetën”, tha Basha.

Top Channel