Skandali me ilaçet, kontratat u lidhën pa zbatuar procedurat

07/06/2015 00:00

Prokuroria e Tiranës ka dhënë informacione të reja për skandalin e rimbursimit të ilaçeve, ku u arrestua Pjerin Xhuvani, drejtor i Fondit Rajonal për Rimbursimin e Ilaçeve, dhe 7 persona të tjerë.

Prokuroria bën me dije se 4 farmacitë e përfshira në këtë skandal kishin bërë kërkesë për të lidhur kontratë me DRFT dhe kontratat janë lidhur pa u zbatuar procedurat.

“Referuar akteve ligjore dhe nënligjore, rezulton të jetë parashikuar se kur subjekti farmaceutik paraqet kërkesë për lidhjen e kontratës, titullari i institucionit ngre grupin e punës të përbërë prej tre personash (jurist, farmacist dhe ekonomist). Ky komision ka për detyrë të verifikojë zbatueshmërinë e kritereve të lidhjes së kontratës. Komisioni ka për detyrë të shqyrtojë nëse farmacia ka plotësuar të gjitha kriteret e përcaktuara për lidhjen e kontratës”, thekson Prokuroria e Tiranës.

Sipas prokurorisë, nga këqyrja e praktikave dokumentare, vihet re se titullari i insitucionit ka lidhur kontratën me katër farmacitë, objekt hetimi pa u zbatuar procedura e rregullt.

Top Channel