Kërkimi i naftës në tokë dhe det, Qeveria shtyn afatin për ofertat

07/06/2015 00:00

Ministria e Energjisë ka vendosur të shtyjë afatin e dorëzimit të ofertave për blloqet e lira të naftës që do tu jepen kompanive private për kërkim dhe zhvillim. Përmes një urdhri të posaçëm ministri i Energjisë, Damian Gjinkuri ka anuluar dy urdhra të mëparshëm që kishin vendosur si afat për dorëzimin e ofertave, datat 15 dhe 25 qershor, për shtatë blloqe kërkimi në gjithë territorin e vendit, si tokë ashtu dhe det.

Sipas Ministrisë së Energjisë, afati i ri i dorëzimit të ofertave do të jetë 15 korriku për 5 zonat e kërkimit në tokë që janë, Blloqet 4 dhe 5, Blloku C, ai i Panajasë dhe  Blloku i Dumres. Ndërsa për dy zonat e tjera të kërkimit në det që janë blloku i Rodonit dhe ai Joni 5 afati shtyhet në një periudhe të pacaktuar.

Burime nga ministria thanë për Top Channel se shtyrja me një muaj e afatit për 5 blloqet në tokë vjen pasi disa kompani ndër më të mëdhatë në arenën ndërkombëtare kanë shprehur interes, por kanë kërkuar më shumë kohë në dispozicion për studimin e të dhënave dhe përgatitjen e ofertave. Ndërsa për blloqet e detit afati është shtyrë për të përmirësuar të dhënat sizmike.

Deri më tani, zonat hidrokarbure ishin nën administrimin e “Albpetrol” dhe ka qenë kjo kompani që i ka transferuar ato tek privatët përmes negociatave të drejtpërdrejta. Me ndryshimin e ligjit Qeveria thotë se blloqet e reja do t’i nënshtrohen garës në një proces të hapur dhe fituesi do të zgjidhet përmes kritereve të paracaktuara.

Përmes riaktivizimit të kërkimeve hidrokarbure, Qeveria shpreson të tërheqë kapital nga jashtë për të ndihmuar ekonominë, edhe pse industria e naftës gjendet në një moment të vështirë.

Rënia e çmimeve në tregjet ndërkombëtare ka goditur dukshëm investimet në këtë sektor, jo vetëm në kërkim, por edhe shfrytëzimin e burimeve ekzistuese. Disa nga kompanitë që shfrytëzojnë vendburimet e naftës në Shqipëri kanë njoftuar shkurtim të investimeve për të kompensuar rënien e të ardhurave.

Por përtej konjukturës së rënduar globale, hidrokarburet mbeten një nga sektorët që vazhdojnë të thithin pjesën më të madhe të investimeve nga jashtë dhe që mbajnë peshën kryesore në eksportet kombëtare.

Top Channel