Rama, në Burrel: 24 orë në 24 në krye të vendit

07/06/2015 00:00

Gjatë pasdites të së dielës, Kryeministri Edi Rama ndaloi në Burrel për të prezantuar kandidaten e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Adelina Farrici për këtë bashki.

Zoti Rama u shpreh se në 18 muaj të qeverisjes të së majtës Burreli ka pësuar ndryshime rrënjësore, por ka ende punë për të bërë.

“Burreli ka filluar të marrë frymë lirshëm nga ndryshimi i votës së kaluar. Por ndryshimet e bëra në këto 18 muaj janë vetëm fillimi i fillimit. Ka ende shumë punë për të bërë; ka ende shumë plagë për të kuruar; ka ende shumë probleme për të zgjidhur; ka ende shumë njerëz që ndjehen keq, që kanë halle, që kanë vështirësi të panumërta. Një gjë është e sigurt, ne kemi kurajën t’i shohim të gjithë në sy dhe t’ju themi se jemi në krye të detyrës, ditë e natë, 7 ditë të javës pa pushim për të bërë të mundur gjithçka që njerëzit duan dhe meritojnë”, u shpreh Kryeministri.

Kreu i mazhorancës foli edhe për Rrugën e Arbërit, si dhe për vënien në punë të Ferrokromit.

“Pas shumë vitesh në Burrel ka filluar punë Ferrokromi. Ne do të synojmë që në një periudhë të shkurtër kohore të arrijmë të krijojmë shumë vende pune në këtë sektor. Ndërkohë Rruga e Arbërit nuk është më një fantazmë elektorale, por një projekt në rrugën e realizimit”, u shpreh Rama.

Më herët, Kryeministri Rama publikoi një foto në “Facebook” të tunelit të Qafë Buallit ku shkruante: “Tuneli i Qafë Buallit, realizuar këta 18 muaj si pjesë e Rrugës së Arbërit që s’është më fantazmë elektorale bojë blu!”.

Top Channel