Turqi, rezultat surprizë në zgjedhjet parlamentare, Erdogan nuk mund të qeverisë i vetëm

07/06/2015 00:00

Në Turqi ka përfunduar procesi i numërimit të votave të zgjedhjeve të përgjithshme, ndërsa ethet se kush do të qeverisë vendin vazhdojnë.

Kjo pasi rezultati  i kutive të votimit tregon se asnjë nga partitë nuk mund të krijojë qeverinë e vetme, ku minimalisht duhen 279 deputetë për të formuar mazhorancën e parlamentit  turk. Edhe pse me më shumë vota në këtë garë elektorale, Partia për Drejtësi dhe Zhvillim ka mundur të fitojë vetëm 257 vende në Asamblenë e madhe Kombëtare.

Kjo flet për një rënie besueshmërie me 9% nga zgjedhjet e vitit 2011, çka e privon Erdogan-in nga ambicia për të qeverisur vendin i vetëm.

Tabela e numërimi të kutive të votimit nxori në vendin e parë, me afërsisht 41%,  partinë e Tayyip Erdogan, në vend të dytë me 25% partinë republikane, e ndjekur nga partia nacionaliste me 16.6%, si edhe në fund, por jo më pak e rëndësishme në këtë proces zgjedhor, është partia pro kurde, e cila e ka thyer edhe pritshmërinë e vetë aktivistëve të saj, pasi ka marrë afërsisht 12.8% të votave, rezultat ky që i jep mundësinë pro-kurdëve të kenë 80 deputetë si përfaqësues të tyre në Parlament.

Pritshmëritë e Erdogan-it ishin shumë herë më të larta se sa ky rezultat , ku ai pretendonte për ndryshim amendamentesh. Ndërkohë, zëra në Turqi i japin më shumë shanse një koalicioni të  mundshëm qeverisës, ndërmjet Partisë për drejtësi dhe zhvillim dhe republikanëve.

Analistët turq shprehen se një rezultat i tillë ishte i pritshëm, pasi Erdogan kohët e fundit e kishte neglizhuar qeverisjen duke u fokusuar vetëm tek të ardhurat e tij personale.

Ndërsa mediat ndërkombëtare shkruajnë se me anë të votës së tyre në zgjedhjet e përgjithshme  elektorale,  populli turk dëshmoi se është kundra ndryshimit të kushtetues, çka do të forconte pushtetin në duart e presidentit. Ndërkaq partia pro-kurde , platforma e së cilës mbron grupimet etnike ,rolin e femrës në shoqëri, si edhe komunitetin homoseksual, ka nisur festimet në vend.

Top Channel