Dako në Katundin e Ri: Shkollë profesionale për bujqësinë

08/06/2015 00:00

Kandidati i majtë për bashkinë e Durrësit, Vangjush Dako është takuar me banorët e Katundit të ri, ku ka shpalosur dhe programin e tij për zhvillimin e zonës.

Për zonën që merret me bujqësi tha Dako do të jetë në dispozicion një shkollë e re profesionale për bujqësinë, e cila shumë shpejt do të jetë gati së bashku me 14 shkolla të reja me jo më pak se 5000 metra katror sipërfaqe secila.

Duke qenë një zonë afër bregdetit, Dako tha se kjo zonë do të marrë shumë shpejt një zhvillim të madh ekonomik, pasi zona turistike e Gjirit të Lalëzit është mjaft e përshtatshme për ndërtimin e resorteve turistike.

Ai premtoi edhe krijimin e një Inspektorati të mbrojtjes së tokave bujqësore, si një strukturë që do të merret me zgjidhjen e mosmarrëveshjeve për problemin e tokave.

“Modelin e zhvillimit të qytetit të Durrësit do e shtrijnë në tërë zonën rurale, ndërsa fermerët do të orientohen se çfarë është më me leverdi për të kultivuar, sepse fermerët duhet të orientohen sa më shumë drejt produkteve bio”, tha Dako.

Dako deklaroi sërish se vitin e ardhshëm do të vihet në punë rezervuari i Tarinit, ndërsa do të bëhen gati edhe 18 rezervuar të tjerë që nuk funksionojnë.

Top Channel