Idrizi: Bashkim ekonomik të shqiptarëve, në mbarë hapësirën kombëtare

08/06/2015 00:00

Kreu i PDIU-së Shpëtim Idrizi është takuar me banorët e Dibrës ku ka bërë thirrje për bashkim ekonomik të shqiptarëve, në mbarë hapësirën kombëtare.

“Bashkia e re e Dibrës të jetë një bashki e lulëzuar me fonde, jo vetëm për Rrugën e Arbrit, të cilën ju e meritoni dhe do na sjell shumë më shpejt Tiranën dhe gjithë Shqipërinë me Dibrën, por për ta shndërruar Dibrën në një zonë të madhe edhe për bashkimin ekonomik të shqiptarëve. Ne duam ta shohim bashkë një rajon, një zonë, një zonë të lirë ekonomike edhe Dibrën edhe Dibrën e Madhe dhe kudo që jetojnë shqiptarët. Kjo do ti japi një frymëmarrje akoma më të madhe”, deklaroi kryetari i PDIU-së, z. Shpëtim Idrizi.

Referuar ngjarjeve të Kumanovës, kreu i PDIU-së i kërkoi shtetit maqedonas respektimin e të drejtave të shqiptarëve të Maqedonisë, pasi siç tha ai, “ata kanë bashkë Dibrën, Kukësin, Tropojën, Konispolin, Vermoshin, çam e kosovarë kudo ku janë”.

“Ne këtu jemi shumë afër vëllezërve shqiptarë, e kam fjalën për ata që jetojnë në Dibrën e Madhe dhe më gjerë. Është rasti këtu të evokojmë atë çfarë ka ndodhur në Kumanovë. Shqiptarët e Maqedonisë, Malit të Zi, Çamërisë, ku do që jetojnë shqiptarët, nuk janë vetëm, ata janë me 10 milionë shqiptarë kudo që ato ndodhen. Unë nga kjo tribunë, duke marrë shkas nga ngjarja e dhimbshme e Kumanovës i bëj thirrje gjithë autoriteteve maqedonase të kenë kujdes me gjithë të drejtat e shqiptarëve të Maqedonisë, sepse ata nuk janë vetëm, kanë bashkë Dibrën, Kukësin, Tropojën, Konispolin, Vermoshin, çam, kosovarë kudo ku ata janë”, u shpreh z. Idrizi.

Idrizi tha se në 21 qershor PDIU do të dyfishojë votat e saj.

Top Channel