Duma: Nga Currilat në Porto Romano do e kthejmë plazh publik

08/06/2015 00:00

Grida Duma, kandidatja e djathtë për bashkinë e Durrësit është takuar me banorë të lagjes 12 të qytetit, mbi programin e saj për rivitalizimin urban të kësaj lagje.

Znj. Duma tha se brenda 6 muajve do të normalizohet situata e ujit të pijshëm. Ajo shtoi se plazhi nga Currilat tek Porto Romano do t’u kthehet në plazh publik për qytetarët durrsakë. Kandidatja e djathtë u shpreh se ndihma ekonomike do t’i jepet kujdo që i takon dhe se synimi i saj është që çdo familje të ketë të paktën një person të punësuar. Duma ngriti edhe shqetësimin e varrosjes së historisë së qytetit siç ishte rasti me lagjen antike në lulishten 1 Maji e cila u betonizua.

“Nga Currilat në Porto Romano do kthejmë plazhin publik. Do kthejmë plazhin për qytetarët e Durrësit është i veti sepse s’ka mundësi që sot të mos kesh një vend të vogël që të vendosësh çadrën. Në 6 muaj do kthejmë furnizimin ujë me të paktën 3 herë në ditë. Ndihmën ekonomike, premtim prej nëne, do ta marrin të gjithë. Ashtu siç kam thënë që në fund të katër vjeçarit çdo familje do të ketë një të punësuar. Duhet ta kishim sot lulishjen 1 Maji, ashtu siç ka Pompein pjesa tjetër e botës sepse ashtu ishte. Nuk ka njeri në botë që pranon të zhdukësh ashtu atë pasuri e cila sot është e zhdukur. Ashtu siç nuk ka njeri në botë që të fillojë me standardin e rrugëve elektorale”, tha Duma.

Me banorët e kësaj lagje, kandidatja e djathtë foli edhe për përmirësimin cilësisë së jetës dhe administrimit të godinave.

Top Channel