Banorët e Marinzës, të pakënaqur me trajtimin nga komuna. Gjiknuri: Verifikime në terren

08/06/2015 00:00

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri u takua këtë të hënë me një përfaqësi të banorëve të fshatit të Marinzës, e cila paraqiti pretendimet e banorëve për ecurinë e procesit të evidentimit të dëmeve të shkaktuara nga shpërthimi i gazit dy muaj më parë.

Banorët shprehën pakënaqësi për trajtimin që u është bërë në vijimësi nga komuna, ndërsa kërkuan që të shikohej mundësia e përfshirjes në procesin e dëmshpërblimit edhe për ato banesa, që rezultojnë të dëmtuara, por kanë mbetur jashtë verifikimit.

Ndërkaq, për pjesën e përfshirë në procesin e vlerësimit, ka nisur në terren kryerja e dëmshpërblimit sipas konstatimeve të deritanishme.

Ministri Gjiknuri sqaroi banorët se, komisioni i verifikimit të dëmeve funksionon në bazë të Prefekturës dhe Drejtorisë së Emergjencave Civile, por gjithsesi ministria që ai drejton do të kërkojë informacion për ecurinë e procesit.

Gjithashtu, Ministria e Energjisë do të nxisë Prefekturën, komunitetin lokal dhe kompaninë “Bankers” që të kryejnë një verifikim në terren të pretendimeve të banorëve për ato banesa të papërfshira në skemën e dëmshpërblimit.

Gjiknuri sqaroi se, përmes ndarjes së re territoriale do të mundet që të korrigjohen në terren edhe problematikat e vërejtura prej banorëve në raportin komunë-komunitet.

Në këtë linjë, ministri garantoi banorët se do të angazhohet, në koordinim me bashkinë e riformatuar nga ndarja territoriale, për të maksimalizuar përfitimet e komunitetit lokal dhe trajtimin e tyre.

Top Channel