Basha: 21 qershori është përballje e qeverisë me popullin

08/06/2015 00:00

Nga Bathorja e Kamzës, në Lushnje e Divjakë, kryetari i opozitës Lulzim Basha i ka bërë jehonë plarformës lokale dhe kombëtare të Partisë Demokratike për rikthimin e Shqipërisë në punë.

“Ne vijmë në këto zgjedhje me një prioritet të madh, që ka të bëjë me hallin më të madh të shqiptarëve, me papunësinë. Zgjidhja jonë për këtë hall konkret është ulja e taksave, ulja me 25% e çmimit të energjisë dhe falja e kamatëvonesave për shqiptarët”, u shpreh Basha.

Punësimi është kryefjala e kryetarit të Partisë Demokratike edhe në Lushnje, ku sipas Bashës, qytetarët duhet të zgjedhin mes pushtetarëve aktualë, që po pasurohen nëpërmjet korrupsionit, dhe kandidatit të opozitës, që ofron ulje taksash dhe shërbim në interes të qytetarëve.

“Me votë do t’i shporrim bandat nga Lushnja, do ta çlirojmë arkën e qytetit. Me votë do t’u japim mundësi qytetarëve të Lushnjes, që të qeverisen hallet e tyre, të zgjidhen problemet e tyre”, vijoi më tej Basha.

Në Divjakë, Lulzim Basha bëri krahasim mes asaj, që koalicioni qeveritar premtoi, dhe asaj që realizoi në këtë zonë.

“Ku janë premtimet për 300 mijë vende pune? Apo për t’u ardhur në ndihmë fermerëve, për lëndët e para, për çmimin e naftës? U tretën pa lënë gjurmë, kur për një vit u zhdukën 800 milionë lekë në një skemë të pashembullt abuzivizmi e korrupsioni, me privatizimin e Lagunës. U ranë në qafë fermerëve të Divjakën për interesin e xhepave të tyre”, deklaroi Basha.

Sipas Lulzim Bashës, zgjedhjet e 21 qershorit nuk janë thjesht zgjedhje lokale.

“Këta që i njohën vetes të drejtën për të bërë të kundërtën e asaj që premtuan, këta kanë guximin të pretendojnë se vota popullore e 21 qershorit nuk do të ndryshojë asgjë. Sot iu them se vota popullore e 21 qershorit është ligj për të ulur çmimin e energjisë, për të ulur taksat dhe për t’iu ardhur në ndihmë fermerëve. Edhe për të hapur vende pune”, tha Basha.

21 qershorin, Lulzim Basha e shikon si një përballje të qeverisë me qytetarët.

“Shpresën tani e kanë që, prej varfërisë, njerëzit do ta marrin thesin e miellit, do ta marrin 2 mijë lekshin dhe do të shesin votën. E kanë të kotë. Varfëria që këta mbollën dhe shtuan nuk është për shitje, por është për luftë me ta”, përfundoi Basha.

Top Channel