“Doshi-Braho”, shtyhet seanca. Avokatët: Hetimet e prokurorisë nuk kanë mbaruar

08/06/2015 00:00

Deputeti Tom Doshi është paraqitur paraditen e kësaj të hëne në Gjykatën e Lartë, në procesin gjyqësor mes tij dhe deputetit të LSI-së, Spartak Braho, i paditur për “shpifje”.

Seanca është shtyrë për shkak të mungesës së Brahos, ndërkohë që Doshi, në një prononcim për mediat në dalje nga gjykata, ka rikonfirmuar akuzën.

Ndërkohë, avokatët e tij kanë hedhur poshtë lajmet e publikuara në media se Prokuroria e Përgjithshme ka mbyllur hetimet ndaj klientit të tyre.

“Zyrtarisht ju komunikojmë se njoftimi për mbylljen e hetimeve është i pavërtetë. Për zotin Doshi hetimet nuk kanë përfunduar, por vazhdojnë. Ne nuk jemi njohur ende me tërësinë e materialeve të hetimit, ndërkohë që ka një kërkesë në Gjykatën e Lartë për shfuqizimin e disa veprimeve të prokurorisë. Mendoj se ka një rrugë të gjatë derisa të përfundojë çështja”, ka deklaruar avokati Vladimir Meçi.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe avokati tjetër, i cili ka bërë me dije se trupa mbrojtëse e Doshit zotëron tabulatët telefonikë të zotit Braho, që vërtetojnë, sipas tij ndërhyrjen e deputetit të LSI-së për manipulimin e procesit.

“Ende nuk jemi njohur me të gjitha provat e prokurorisë. Pasi t’i njohim do të parashtrojmë edhe kërkesa të tjera, por kemi kërkuar bisedat telefonike mes personave të ndryshëm që janë përpjekur të prishin hetimet. Presim të shohim edhe prova të tjera dhe do kemi kundërshtitë tona. Ne disponojmë tabulatët telefonikë të Brahos dhe po përgatisim një kërkesë për një denoncim të ri, për ndërhyrje në proces me qëllim deformimin e tij”, tha avokati Ferit Muça.

Top Channel