Kosova me banorët në zonën e Institutit Bujqësor, premton strehimin

08/06/2015 00:00

Kandidati i PD për kryetar bashkie në Tiranë, Halim Kosova u takua me banorët që jetojnë pranë Insititutit Bujqësor. Doktor Kosova u premtoi atyre përmirësimin e jetesës.

“Këto janë kushte që vërtet të dëshpërojnë shumë kur i sheh, por në të njëjtën kohë të bëjnë që të të lëvizë zemra e truri për të gjetur një zgjidhje. Sepse në një vend ku janë 8.000 apartamente të mbylluara me çelës, ka shumë mundësi t’i shpëtojë të dyja palët, si atyre që i janë bllokuar ndërtimet dhe ata që kanë nevojë dhe mezi presin dhe çdo ditë flenë dhe zgjohen me një mendim që, ishallah nesër e ishallah nesër dhe mesa më thoni keni kaluar rreth 20 vjet në këto kushte. Më lini pak të mendoj se çfarë do bëj në dy drejtime: çfarë do bëj diçka urgjente dhe çfarë do bëj pak më vonë. Por ta dini që objektivi final është që ju të sistemoheni njëherë e mirë”, u tha Kosova të pranishëmve.

Kandidati i së djathtës për Bashkinë e Tiranës tha gjithashtu se, me urgjencë këto familje duhet të sistemohen.

“Ju jeni vërtet në aq urgjencë sa as ju vet nuk e kuptoni. Pse s’e kuptoni? Nuk e kuptoni se pavarësisht halleve, dhe mbajeni mend këtë që po ju them, edhe ju është mësuar pak syri me të keqen. Kurse unë asnjëherë nuk kam pranuar në jetën time që një gjë që nuk shkon ta lë të ikë gjatë, se po t’u mësua syri, s’është mirë. Juve flisni për ujë dhe drita. Nuk janë vetëm uji dhe dritat. Janë 200 mijë gjëra për të cilat ju keni nevojë”, tha Kosova.

Top Channel