Kosovë, Mustafa zotohet për përkrahjen e biznesit

08/06/2015 00:00

Të hënën, në Prishtinë është mbajtur mbledhja e parë e Këshillit Kombëtar për Zhvillim Ekonomik. Gjatë takimit u tha se, ky Këshill do t’i adresojë të gjitha sfidat e bizneseve dhe investitorëve, duke rekomanduar masa për institucionet më të larta të vendit, për krijimin e politikave sa më të favorshme për të bërin biznes.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa tha se, përfaqësuesit e biznesit, së bashku me qeverinë mund të shqyrtojnë dhe të adresojnë sfidat e tanishme dhe sfidat e ardhshme të zhvillimit të vendit.

“Ne, me këtë synojmë fuqizimin e dialogut me sektorin privat, në drejtim të dizajnimit dhe të zbatimit të politikave zhvillimore të vendit. Në programin e Qeverisë kemi theksuar shumë qartë se, zhvillimi ekonomik, promovimi i punësimit dhe rritja e mirëqenies do të bazohen kryesisht në nismën private, konkurrencën e tregut të hapur, si forca kryesore këto, që sigurojnë prosperitet ekonomik. Në këtë aspekt, roli i qeverisë do të jetë në ofrimin e kornizës institucionale, me qëllim sigurimin e kohezionit të brendshëm të ekonomisë dhe shoqërisë”, tha Mustafa.

“Ne jemi pajtuar, që këshilli të luajë një rol të rëndësishëm në harmonizimin e aktiviteteve, midis institucioneve të Kosovës dhe komunitetit të biznesit, në adresimin dhe eliminimin e problemeve dhe vështirësive në biznes. Kryeministri foli për nevojën e qeverisë, që ta dëgjojë sektorin privat, sidomos në fuqizimin e dialogut. Këto janë pikat kyçe për zhvillimin ekonomik. Toleranca zero ndaj korrupsionit është një tjetër pikë kyçe në zhvillimin ekonomik”, tha Samuel Zhbogar, shef i zyrës së BE-së në Kosovë.

Kryesuesi i Këshillit të Investitorëve Europianë, Emmanuel Mitsou, e ka përshëndetur nismën për zhvillimin e strategjisë kombëtare, që – sipas tij, – është baza për krijimin e një mënyre të duhur për të gjitha bizneset në Kosovë.

Ndërsa përfaqësuesit e komunitetit të biznesit kërkuan, që ky këshill të merret seriozisht me realizimin e kërkesave të tyre, duke shpresuar se strategjia e qeverisë do të zbatohet.

Hykmete Bajrami, ministre e Tregtisë dhe Industrisë, tha se Këshilli do të harmonizojë dhe organizojë aktivitetet e institucioneve shtetërore, me qëllim eliminimin e barrierave dhe adresimin e sfidave në të bërit biznes, që ndikojnë në përmirësimin e ambientit.

Top Channel