Dezinfektimi i tokave në Lushnjë, nis puna në 3 mijë hektarë

08/06/2015 00:00

Tokat e infektuara nga karkaleci në rrethin e Lushnjës, kanë nisur të dezinfektohen nga Ministria e Bujqësisë. Në fushat e Tërbufit, ministri Edmond Panariti ka inspektuar nga afër aksionin për helmimin e karkalecit.

Rreth 3000 ha në të gjithë Lushnjën, sipas ministrit, do të spërkaten në këtë fazë të hershme, ku preparati i përdorur nuk është i dëmshëm për mjedisin.

“Ka disa vatra sporadike, jemi në fillim të saj dhe ne i paraprijmë një fushate masive të dezinfektimit me insekticid, që është miqësor me ambientet dhe nuk paraqet rrezik, në trajtën e mbetjes për ndotjen e mjedisit apo kërcënimin e shëndetit publik. Fillojmë këtu dhe do të përhapet dezinfektimi në të gjitha vatrat e prekura nga karkaleci. Synimi është t’i dalim përpara shpërthimit të një epidemie që është e vështirë të kontrollohet”, tha ministri Panariti.

Është hera e dytë që në Lushnjë, Ministria e Bujqësisë nis luftimin e karkalecit, por hera e parë në fazën e hershme. Një vit më parë, karkaleci në zonat e Tërbufit dhe Grabjanit infektoi 5000 ha tokë të mbjella me foragjerë.

Top Channel