Masakra e Thumanës, policia publikon fotot e autorëve në kërkim

08/06/2015 00:00

Policia e Durrësit ka shpërndarë paraditen e së hënës fotot e të dyshuarve si autorë të masakrës së Thumanës, vëllezërit Kora.

Gjithashtu, Drejtoria e uniformave blu të qytetit bregdetar ka përsëritur apelin drejtuar qytetarëve për dhënien e informacioneve mbi vendndodhjen e tre të kërkuarve, Pëllumb, Daniel dhe Besnik Kora.

Policia u ka garantuar qytetarëve që do të kenë informacione ruajtjen e anonimatit, ndërsa ka vënë në dispozicion të tyre një shpërblim prej 10 mijë eurosh.

Ndërkohë, babai i tre djemve, Gurali Kora, pas kapjes ka marrë përsipër autorësinë e krimit, duke shfajësuar djemtë e tij, por ky version nuk është pranuar nga grupi hetimor, që flet për të paktën dy autorë që kanë qëlluar mbi viktimat Arben dhe Fran Çeku, si dhe nipin e tyre Eno Rama.

Mbi viktimat është qëlluar me pistoletë dhe breshëri automatiku, ndërkohë që dhe dëshmia e Luçie Çekut, që mbeti e plagosur në vendin e ngjarjes, hedh poshtë pretendimin e të arrestuarit Gurali Kora, si autor i vetëm i krimit që ndodhi natën e vonë të së premtes, në Thumanë të Krujës.

Top Channel