Rama, në Bulqizë; përuron tunelin e parë të Rrugës së Arbrit

08/06/2015 00:00

Tuneli i parë i Rrugës së Arbrit, punimet për të cilin nisën një vit më parë, sapo ka përfunduar. Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Financave, Shkëqim Cani inspektuan projektin në terren, prej nga deklaruan se pas pak muajsh nis jetësimi i investimit më të rëndësishëm për Bulqizën dhe të gjithë Qarkun e Dibrës, Rruga e Arbrit.

“Vetë kjo vepër domethënëse e këtij tuneli të domosdoshëm për Rrugën e Arbrit, që u financua dhe u realizua në kohë rekord, tregon sa shumë më tepër do të ishte bërë në këtë kohë, nëse nuk do na kishte dalë përpara një mal me borxhe për t’i shlyer dhe nëse nuk do të kishim shlyer deri tani 550 milionë dollarë borxhe të prapambetura të qeverisë tjetër. Gjithsesi, me këtë tunel jepet edhe mesazhi shumë i qartë për gjithë Dibrën, që Rruga e Arbrit nuk është më një fantazmë elektorale që shfaqet vetëm nëpër fushata, por është një realitet mbi të cilin ne po punojmë fort. Kemi siguruar edhe financimin për pjesën më të vështirë, me një kompani ndër më të mëdhatë të Kinës”, deklaroi Rama.

“Nga vjeshta fillon Rruga e Arbrit me tunelin e dytë, shumë më i gjatë se ky dhe me urën e Vashës, që është shumë e lartë dhe një nga veprat e rralla në Shqipëri. Ky është premtimi kryesor që ne kemi dhënë për të gjithë Qarkun e Dibrës”, tha ministri Cani.

Një tjetër premtim i mbajtur sipas qeverisë është mosha 55 vjeç e pensionit për minatorët dhe pusi i thellë prej të cilit qyteti tashmë merr ujë 24 orë në 24, nga 6 orë që furnizohej më parë.

Për kryeministrin Rama, qyteti i minatorëve, i lënë në harresë prej 25 vitesh, e për të cilin flitej vetëm kur aksidentet në minierë merrnin jetë njerëzish, është tashmë një realitet i transformuar për banorët e saj.

Shkolla 9-vjeçare “Xhevdet Doda”, ku nuk ishte investuar që prej ndërtimit para viteve ’90, është tashmë një ndërtim model, me teknologjinë e gjelbër, e pajisur me ashensorë për personat me aftësi të kufizuar, palestra verore dhe dimërore, fusha sportive dhe sistem ngrohjeje qendrore.

Unaza e re e qytetit të Bulqizës është një tjetër inevstim që ka nisur, ndërsa pedonalja e qytetit do të shndërrohet në një hapësirë rekreative për qytetarët me ndriçim, trotuare dhe  gjelbërim.

Kryeministri Rama ishte edhe në fabrikën e pasurimit të ferro-kromit, drejtuesit e të cilës thonë se heqja e TVSH-së për makineritë e importit dhe ulja e rentës minerare ka mundësuar zgjerimin e investimeve të cilat mund të shtojnë numrin aktual prej 120 punonjësish me 60 punëtorë të tjerë.

Top Channel