Demirtas, “Obama kurd” që mposhti Erdoganin

08/06/2015 00:00

The “Guardian” e quan “Obama kurd”: një figurë karizmatike me një mesazh gjithëpërfshirës – ajo pjesë e turqve e lodhur nga dara e sundimit shtrëngues të Erdoganit, e pa si shpëtim.

Ish avokati Selahattin Demirtas është sot njeriu që kapërceu barrierën e lartë famëkeqe të hyrjes së partive të reja në Parlamentin turk, ndërsa me një goditje, partia e tij pro-kurde u shfaq si forcë e fuqishme në skenën politike kombëtare.

Demirtas, i pashëm e me stil dinamik të foluri, shkruan e përditshmja britanike, është tanimë në pozitën të trondisë nga themelet planet e Rexhep Tajip Erdoganit për ndryshimin e Presidencës nga roli thjesht ceremonial tek një pozicion shumë më i fuqishëm ekzekutiv.

42-vjeçari cilësohet si i vetmi politikan turk që mund të rivalizojë aftësitë retorike të Erdoganit. Atij i vishet merita e transformimit të HDP-së në një parti liberale të qënësishme falë zgjerimit të thirrjeve për ndryshime duke i çuar ato përtej bazës së votuesve kurd që përbëjnë 20 % të popullsisë së vendit, me qëllimin të afronte edhe turqit laikë, grate e homoseksualët.

Demirtas vetë ka qenë subjekt i një fushate të egër sulmesh nga Erdogani. Presidenti e quante “bukuroshi” që s’është gjë tjetër veçse një fasadë e Partisë së jashtëligjshme të Punëtorëve të Kurdistanit. Dhe etikimet nuk përfundonin këtu.

Për Erdoganin, njeriu që sot i tronditi themelet e pushtetit, ishte dhe një “i pafe” sepse premtonte shkrirjen e drejtorisë së çështjeve fetare, apo “pop-star” për arsyen e thjeshtë se luan në mandolinë. Përgjigja e Demirtasit ndaj ofendimeve të kundërshtarit, ishte qetësia. “Epo, ne të HDP-së do ta shndërrojmë luanin e zemrës tënde në kotele”, ka qenë replika e shkurtër e tij.

Madje, edhe pas sulmeve të së premtes në qytetin juglindor të Diarbakirit në mitingun e partisë që drejton, 42-vjeçari i kërkoi mbështetësve të mos dilnin nëpër rrugë e shkroi në Twitter: “Paqja do të triumfojë”. Dhe ajo çfarë arriti, përkufizimin më të mirë e ka marrë ndoshta nga Bulent Aliriza. Fitorja e kurdëve, thotë ky ekspert i Qendres së Studimeve Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington, ishte një shpërthim bërthamor në skenën politike të Turqisë.

Top Channel