Ndeshja me Serbinë, De Biasi: Vendimi i KAS-it nuk do të ndikojë

08/06/2015 00:00

Një javë para miqësores me Francën, kombëtarja shqiptare do të mësojë vendimin e Gjykatës së Arbitrazhit Sportiv për ndeshjen e 14 tetorit të shkuar Serbi-Shqipëri.

Trajneri i kombëtares shqiptare, Gianni de Biasi, ka pohuar se cilido të jetë vendimi, kualifikimi për në “Francë 2016” mbetet në dorën e kuqezinjve.

“Është e qartë që nëse marrim 3 pikë nga KAS-i, kemi më shumë mundësi për të shkuar në Francë, por gjithsesi çdo gjë varet nga ne, pasi nuk duhet të lejojmë të humbim në 4 ndeshjet e ardhshme. Sigurisht që nuk jemi skuadër më e mirë se Franca apo të tjerat, me elementë që bëjnë diferencën. Ajo që tek ne është e rëndësishme, është forca e grupit të lojtarëve që kemi”, tha tekniku italian.

Sa i përket miqësores së të shtunës, De Biasi ka lënë pushim disa lojtarë titullarë, ndërkohë që ka rikthyer në skuadër Lilajn dhe Arapin. Gjithashtu, ka grumbulluar Fejzullahun e Partizanit dhe Takun e Tiranës.

“Mendova që t’i lë pushim disa lojtarë, pasi më duhen në formë dhe të çlodhur në shtator. Nga vetë emri, miqësorja nuk shërben për të marrë pikë, por për neve është një ndeshje që do të na shërbejë shumë, për rezultatin, për të parë taktika të reja dhe sigurisht lojtarë të rinj, të cilët gjatë sezonit nuk kanë qenë pjesë e formacionit bazë në kombëtare”, shpjegoi De Biasi.
 
Ndryshe nga italiani, trajneri i kombëtares franceze ka grumbulluar për ndeshjen me Shqipërinë të gjithë lojtarët më në formë për momentin.

Mungesa e vetme cilësore e francezëve është sulmuesi Karim Benzema, i cili nuk është grumbulluar për shkak dëmtimi.

Top Channel