“Brexit”, Cameron mohon zërat për presion ndaj ministrave

08/06/2015 00:00

Qeveria britanike ka mohuar zërat se kryeministri David Cameron ka urdhëruar ministrat e tij ta mbështesin në referendumin për qëndrimin ose jo në BE, në të kundërt duhet të lënë kabinetin.

Kryeministri u kishte thënë gazetarëve se të gjithë në qeverinë e tij kishin firmosur këtë plan, gjë që çoi në kritikat e konservatorëve, të cilët deklaruan se ministrat duhet të jenë të lirë të vendosin vetë.

Zëdhënësja e kryeministrit Cameron deklaroi këtë të hënë për mediat në samitin e G7-s se, “deklaratat e tij ishin keqinterpretuar”. Ajo tha se, Cameron i ishte referuar periudhës së negociatave dhe jo saktësisht fushatës për referendum.

Zëdhënësja shtoi se, nuk do të spekulojë mbi pozicioni që vetë kryeministri britanik do të marrë gjatë fushatës për referendumin.

Plani i zotit Cameron është të rinegociojë marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Bashkimit Europian përpara referendumit të planifikuar për në vitin 2017.

Mbrëmjen e së dielës, ai tha: “Nëse doni të jeni pjesë e qeverisë, atëherë duhet të keni parasysh se jemi të angazhuar në një proces rinegocimi për të pasur një referendum, që do të çojë në një rezultat të suksesshëm”.

“Të gjithë në qeveri i janë bashkuar planit të prezantuar në programin e konservatorëve. Unë po kryej një proces rinegocimi në interes të kombit, për të arritur një rezultat që besoj se do të jetë në interes të vendit. Dhe kam besimin se do t’ia arrijmë”, tha Cameron.

Kryeministri u tha gazetarëve se “qeveria nuk është neutrale në këtë proces. Ne kemi një vizion të qartë: rinegocimin, arritjen e një marrëveshjeje në interes të Britanisë dhe më pas të rekomandojmë qëndrimin e Britanisë në Union”.

Top Channel