ISIS-i alarmon Kosovën. Selimi: Më të vëmendshëm ndaj kërcënimeve

08/06/2015 00:00

Kërcënimet e fundit të terroristëve shqiptarë të ISIS-it ndaj Kosovës dhe Shqipërisë kanë alarmuar institucionet kosovare.

Deputeti i Komisionit Parlamentar për Siguri, Rexhep Selimi, u ka bërë thirrje qeverisë dhe të gjitha institucioneve të sigurisë të jenë më të vëmendshme ndaj kërcënimeve.

“Çdo kërcënim që vjen, qoftë indirekt, qoftë drejtpërdrejtë, do të duhej të ishte shqetësim dhe të merrej seriozisht gjithmonë nga institucionet e sigurisë së Republikës së Kosovës. Kam frikë se nesër mund t’i thërrasim ata që të na raportojnë, por kam frikë po ashtu që nuk kanë çfarë të na raportojnë, për shkak se puna dhe niveli i punës së tyre dhe i përgjegjësisë po duket të jetë shumë më i ulët sesa rreziku që mund të vijë qoftë nga Siria, qoftë nga Serbia”, tha Selimi.
 
Të hënën, në Kuvendin e Kosovës raportoi në Komision Parlamentar shefi i Agjencisë Kosovare për Inteligjencë, Agron Selimaj, por pas takimit u tha se nuk u diskutua për kërcënimet e ISIS-it ndaj shqiptarëve.

Pas raportimit me dyer të mbyllura, deputetja e Komisionit për Mbikëqyrjen e AKI-së, Melihate Tërmkolli, tha se në të gjitha takimet diskutohen çështjet e sigurisë, por jo në detaje për një rast specifik, siç ishte kërcënimi i fundit nga shqiptarët e ISIS-it: “Ne i kemi parë përmes videove. Sot jo, por ne vazhdimisht i diskutojmë çështjet mbi gjendjen në Kosovë. Sigurisht ne e kemi thënë vazhdimisht se janë shqetësuese”.
 
Tërmkolli bëri të ditur se në takim me shefin e AKI-së nuk kanë diskutuar as për raportimet e fundit për rastin e Kumanovës, ku është thënë se ndonjë prej viktimave mund të jetë vrarë pas arrestimit: “Çështja e Kumanovës për AKI-në ka përfunduar. Tashmë është çështje e institucioneve të shtetit të Kosovës, çështje e qeverisë, çështje e Ministrisë së Punëve të Brendshme, Ministrisë së Punëve të Jashtme, që të merren më tutje me rastin e Kumanovës”.
 
Shefi i Agjencisë së Inteligjencës i ka njoftuar deputetët me punën që është bërë deri tani për bartjen e departamentit të verifikimit të zyrtarëve nga AKI-ja tek Zyra e Kryeministrit.

Top Channel