Masat higjienike për turizmin, takohen kryeinspektorët e Shqipërisë dhe të Kosovës

08/06/2015 00:00

Në fillim të sezonit turistik, Inspektorati Sanitar Shtetëror garanton pushuesit përsa i përket sigurisë higjieno-sanitare.

Fluksi i madh i pushuesve nga Kosova që frekuentojnë bregdetin shqiptar ka bërë që kreu i Inspektoratit Sanitar, Eltar Deda dhe homologia e tij në Kosovë të takohen në pikën kufitare të Morinës për të bashkërenduar punën.

“Inspektimi konsiston dhe në rritjen e fluksit të qytetarëve me rastin e sezonit turistik ku ne garantojmë një sezon turistik të shëndetshëm dhe të pastër higjenikisht. Ne do ta ndjekim këtë situatë gjatë gjithë kohës në mënyrë të tillë që qytetarët të ndihen të sigurtë për këtë periudhë sezoni. Në kuadër të marrëveshjes së integruar të kufijve për të ndjekur anën e shëndetit, kemi rënë dakord të shkëmbejmë informacione të përbashkëta dhe të ndjekim situatën në raste epidemish dhe raste të tjera që kanë të bëjnë me shëndetin e popullatës”, tha Eltar Deda, kreu i ISSH-së.

Kryeinspektorja e Kosovës, Ardita Baraku u shpreh se shkëmbimi i informacioneve ndërmjet dy inspektoriateve do të garantojë siguri maksimale edhe në lidhje me sëmundshmëri të ndryshme.

“Ky takim do të thellojë bashkëpunimin mes dy inspektorave shëndetësore, në shkëmbimin e informatave, në këmbimin e përvojave të mira dhe koordinim të aktiviteteve të përbashkëta”, tha znj. Baraku.
 
Sezoni turistik sapo ka nisur dhe vite më parë pushuesit janë ankuar si për kushtet higjieno-sanitare të lokaleve apo hoteleve, ashtu edhe për praninë e ujërave të zeza nëpër plazhe.

Top Channel