Thaçi, takime në Francë me zyrtarë të lartë

08/06/2015 00:00

Zv.kryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka nisur një vizitë dyditore në Francë.

Në ditën parë të qëndrimit në Paris, Thaçi ka njoftuar përmes profilit të tij në Facebook se ka takuar senatorin Alain Richard, emisar special për Ballkanin Perëndimor i Presidentit francez, François Hollande.

Thaçi tha se në këtë takim ka biseduar për thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Francës, ndërsa ka theksuar se kontrata për investime prej 400 milionë euro në qendrën turistike të skive në Brezovicë përbën një sinjal pozitiv dhe inkurajues edhe për investitorët e tjerë francezë që të vijnë në Kosovë.

Kryediplomati kosovar tha se në takimin me zotin Richard kanë diskutuar edhe për mënyrat e përshtatjes të fondeve të Bashkimit Europian, që ato të bëhen më të lehta dhe më të qasshme për vendet e rajonit.

Gjatë qëndrimit në Paris, Thaçi do të ketë edhe takime të tjera me zyrtarë francezë, për të çuar përpara axhendën euroatlantike të Kosovës.

Ai do të takojë edhe homologun Laurent Fabius, nga i cili pritet të kërkojë mbështetjen e Francës për Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit, për liberalizimin e vizave dhe për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO.

Top Channel