Vërejtjet e deritanishme për zgjedhjet, Glover: Kritika edhe për KQZ-në

08/06/2015 00:00

Kur kanë mbetur edhe 13 ditë nga momenti, kur shqiptarët do të votojnë për të zgjedhurit e tyre vendorë, britanikja Dame Audrey Glover, e cila drejton misionin e monitorimit të ODIHR, në një intervistë për Top Channel flet për anët pozitive dhe negative të këtyre zgjedhjeve.

Ajo lëshon kritika për vendimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadorja Glover ndalet edhe në problemit e vjetër të zgjedhjeve shqiptare, atë të shitblerjes së votës. Sipas saj, deri më tani, ODIHR-it i kanë ardhur pretendime për blerje votash, por jo prova konkrete për këtë dukuri.

Glover u jep përgjigje edhe pyetjeve, që kanë të bëjnë me kritikat e ish-kryeministrit Berisha se, me ardhjen e saj, ajo ka ngjallur së paku mosbesim të madh në objektivitetin e monitorimit të zgjedhjeve te populli opozitar. Me ambasadoren Glover bisedoi gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu.

TCH: Zonja ambasadore, kjo është hera e dytë që kryesoni misionin vëzhgues të zgjedhjeve të OSBE-ODIHR në Shqipëri. Cilat janë përshtypjet tuaja të deritanishme për përgatitjet e këtyre zgjedhjeve?

Dame Audrey Glover: Ne jemi shumë të kënaqur teksa shohim se fushata, deri më tani ka qenë e qetë. Gjithashtu kemi vënë re se, disa prej rekomandimeve të mëparshme të ODIHR-it janë zbatuar në Ligjin Zgjedhor të 2015-s, ndaj dhe kjo është një gjë e mirë. Megjithatë, ka disa rekomandime që ne kemi bërë, të cilat nuk janë zbatuar. Por, në përgjithësi, ligji ofron një bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike, gjithmonë nëse palët e përfshira bëjnë punën tyre dhe i binden ligjit. Këto janë disa përshtypje të përgjithshme.

TCH: Çfarë ju shtyu të aplikonit për pozicionin e kryetares së misionit të ODIHR, kur në zgjedhjet e vitit 1996 dhe ato të 2009-s ka pasur mjaft kritika dhe pakënaqësi ndaj jush?

Dame Audrey Glover: Më pëlqen të punoj në këtë vend dhe, në çdo palë zgjedhjesh të monitoruara nga ne, kemi qenë gjithmonë të paanshëm dhe gjithmonë lëmë faktet të flasin vetë. Mendova se do të ishte interesante, që kësaj here të merresha me zgjedhjet vendore në këtë vend, duke qenë se, në misionin e shkuar kemi monitoruar zgjedhjet parlamentare.

TCH: ODIHR publikoi raportin e ndërmjetëm ditën e premte. Sipas jush, cili ka qenë aspekti më shqetësues i identifikuar në raport?

Dame Audrey Glover: Kur ne përgatisim raportet tona, qofshin ato të ndërmjetëm apo përfundimtarë, ne nuk shohim vetëm për aspektet negative, por edhe ato pozitive. Ndaj, siç e keni vënë re, nëse keni lexuar raportin, në të janë përfshirë edhe disa aspekte pozitive. Deri në një pikë jemi të shqetësuar për KQZ-në, sepse në disa raste, mendojmë se vendimet e marra prej këtij institucioni janë të njëanshme dhe sipas linjave partiake. Gjithashtu, ka disa paqartësi në lidhje me vendimet e marra. Në lidhje me KZAZ-të, mendoj se ato po funksionojnë mirë nga sa duket, por gjatë vizitave tona të shpeshta kemi vënë re, që atyre u mungojnë pajisjet e nevojshme dhe burimet për t’i blerë ato. Për më tepër, ka ndryshime në anëtarësinë e KZAZ-ve, duke u bërë më e vështirë për ta. Fushata vetë është e qetë. Kemi vënë re se, partitë politike në Tiranë janë duke i përdorur këto zgjedhje sikur të ishin zgjedhje parlamentare dhe po vazhdojnë të përdorin praktikat e përdorura në të shkuarën, duke shkëmbyer akuza personale. Por ne jemi shumë të kënaqur, që në zonat rurale po zhvillohet një fushatë e mirë. Atje ka forume të vogla, ku kandidatët dhe votuesit takohen për të bashkëbiseduar. Ka pasur edhe debate me temë bashkiake dhe, përshtypja e përgjithshme është që kandidatët po afrohen me votuesit, gjë që është shumë e rëndësishme për ne, sepse në fund të fundit, këto janë zgjedhjet e tyre jo tonat. Duket që ka edhe një lëvizje pozitive, në përpjekjet për të angazhuar komunitetin rom në këtë proces dhe, duke qenë se bëhet fjalë për zgjedhje vendore, kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Por, ne kemi edhe shqetësime serioze për pretendimet e dëgjuara në lidhje me blerjen e votës, huazimin e kartave të identitetit, abuzime të zyrtarëve që përdorin ndërtesat publike etj. Gjithashtu jemi të shqetësuar edhe për faktin se, nga shumë bashkëbisedues, kemi dëgjuar që edhe ata janë të shqetësuar për numërimin e votave dhe tabulatet në ditën e zgjedhjeve. Kjo ëshë një panoramë e asaj që ne kemi parë, por – siç e thashë, – kemi një ligj të zbatueshëm këtu, i cili mund të mundësojë mbajtjen e zgjedhjeve demokratike.

TCH: A keni identifikuar raste të tilla për shitblerjen e votës, apo përgatitje për skenare të tilla për zgjedhjet e 21 Qershorit?

Dame Audrey Glover: Siç e thashë, ne po ndjekim nga afër të gjitha rastet, në veçanti në terren. Ekipet tona të vëzhgimit të zgjedhjeve po ndjekin nga afër çdo pretendim. Por, ne nuk jemi oficerë policie. Sigurisht varet nga autoritetet, që të ndërmarrin masat e duhura, sepse në këtë rast do të bëhej fjalë për një vepër penale, ndaj do të shpresonim që institucionet, kandidatët, partitë politike dhe shoqëria civile t’u kërkonin njerëzve, që të ndalonin së shituri votat e tyre; apo të tjerëve, që të mos blinin votat e njerëzve. Ndaj, ne konsiderojmë se kjo është një çështje serioze, sepse ndikon në mundësinë e njerëzve për të bërë një zgjedhje dhe për të votuar lirisht. Në jemi gjithmonë të interesuar, kur bëhet fjalë për zgjedhësit.

TCH: Ju vjen ndërmend ndonjë qytet, në veçanti, për këtë shqetësim të shitblerjes së votave?

Dame Audrey Glover: Jo në veçanti. Pretendime ka pasur nga i gjithë vendi dhe nga të gjitha drejtimet. Ne po bëjmë atë që mundemi, kjo gjë kërkon kohë dhe, siç e thashë, ne nuk jemi oficerë policie. Sidoqoftë, ne po e monitorojmë situatën me kujdes.

TCH: “Ka pasur pretendime për presion mbi nëpunësit shtetërorë dhe keqpërdorimin e burimeve shtetërorë”. Kjo është një nga gjetjet e raportit. Keni prova, apo këto mbeten thjesht pretendime?

Dame Audrey Glover: Këto janë pretendime dhe ne po i shqyrtojmë ato. Siç mund ta imagjinoni, në këto zona është shumë e vështirë për të marrë prova konkrete. Sigurisht, ne po përpiqemi dhe është shumë e rëndësishme të theksohet se, siç duket, autoritetet nuk kanë ndërmarrë asnjë hap për të shqyrtuar këto pretendime. Siç e theksova më lart, këto janë disa aspekte që ne po i monitorojmë, por nuk kemi ende asnjë provë konkrete. Megjithatë, ka aq shumë nga këto pretendime që na vijnë, sa shpresojmë që ndoshta do të zbulojmë diçka.

TCH: Pas publikimit të raportit të ndërmjetëm, asnjë prej partive politike, kandidatëve apo KQZ-së nuk kanë reaguar apo komentuar në lidhje me gjetjet. A mendoni se ata kanë injoruar gjetjet e raportit?

Dame Audrey Glover: Nuk e di, ndoshta duhet të pyesësh ata, jo mua. Raporti është publikuar ditën e premte, ndoshta ata kanë qenë tepër të zënë. Jo domosdoshmërisht ne presim ndonjë përgjigje prej tyre, por nëse je i interesuar të dish, ndoshta duhet të pyesësh ata.

TCH: Ky do të jetë misioni juaj i 12 i monitorimit të zgjedhjeve, që do të thotë se keni shumë eksperiencë në këtë fushë. A mendoni që Kodi Zgjedhor aktual në Shqipëri ka nevojë për përmirësime?

Dame Audrey Glover: Ndryshimet në Kodin Zgjedhor të këtij viti morën në konsideratë disa prej rekomandimeve, që ne kemi bërë në të shkuarën. Sigurisht, do të donim që Kodi të merrte në konsideratë të gjitha rekomandimet, që ne kemi bërë.

TCH: ODIHR u ka kërkuar shteteve pjesëmarrëse për të dërguar 250 vëzhgues afatshkurtër në ditën e zgjedhjeve. Mund të na thoni, sa vëzhgues do të monitorojnë zgjedhjet?

Dame Audrey Glover: Nuk mund t’iu jap një numër përfundimtar, sepse afati për caktimin e vëzhguesve afatshkurtër përfundon më vonë, gjatë kësaj jave. Ndaj nuk mund t’iu them numrin e vëzhguesve afatshkurtër, që do të kemi nga vendet pjesëmarrëse. Këtu kemi 16 vëzhgues në ekipin kryesor, 20 vëzhgues të tjerë në mbarë vendin. Kongresi i Autoriteteve Vendore dhe Rajonale të Këshillit të Europës dhe Bashkimit Europian do të dërgojnë një delegacion prej 25-30 personash, më 17 qershor. Gjithashtu, Ambasadat e vendeve të OSBE-së do të angazhojnë vëzhguesit e tyre, që do të monitorojnë zgjedhjet nën ombrellën e ODIHR. Prandaj mund të them, që do të ketë një numër të konsiderueshëm vëzhguesish, që do të mbulojnë të gjithë vendin.

TCH: Mendoni se numri prej 250 vëzhguesish është diçka e arritshme?

Dame Audrey Glover: Në përgjithësi mund të jetë diçka e arritshme, por nuk mund të them më tepër, sepse afati nuk ka përfunduar ende. Megjithatë, ne do të jemi të aftë të mbulojmë të gjithë vendin me sukses.

TCH: Kur erdhët në Shqipëri, një politikan i opozitës deklaroi se “ardhja e saj si mike e Edi Ramës ka ngjallur mungesë besimi në radhët e opozitës, pas qëndrimit të saj në zgjedhjet e shkuara”. A duhet të ketë besim te ju, opozita shqiptare?

Dame Audrey Glover: Kjo i takon atyre të vendosin. Por në këtë mision, si në të gjithë misionet e tjera, ne shikojmë faktet në mënyrë të paanshme. Ne vijmë këtu pa ide të paramenduara dhe axhendë fikse. Ne jemi teknokratë zgjedhorë dhe jo politikanë, ose oficerë policie. Jemi totalisht mendjehapur, nuk kërkojmë për gabime, por lëmë faktet të flasin vetë.

TCH: Duhet, apo nuk duhet, të kenë besim te ju dhe te misioni juaj?

Dame Audrey Glover: Patjetër që ky mision, ashtu si të gjithë misionet e tjera, siç thashë, është i paanshëm. Ne kemi pasur marrëdhënie shumë të mira ndër vite, me bashkëbiseduesit tanë në këtë vend. Dhe, mesa di unë, nuk ka pasur ndonjë kritikë për paanshmëri. Ky është misioni ynë i 12 monitorues dhe, gjatë gjithë kohës, ne përdorim të njëjtën metodologji në këtë vend dhe në vendet e tjera. Unë besoj se, ju do të vëreni që raportet e ODIHR-it janë të mirëmenduara dhe ne do të jemi të njëjtët në këtë mision, si në çdo mision tjetër, të paanshëm, dhe do të lejojmë faktet të flasin vetë.

Top Channel