Kosovë, pëson rritje kalueshmëria e nxënësve: 62,6% në nivel vendi

08/06/2015 00:00

Rezultatet e nxjerra nga testi i arritshmërisë së klasave të 9-a të Kosovës tregojnë, që kalueshmëria në nivel vendi është 62.6%. Lënda e gjuhës angleze mbetet më e preferuara për nxënësit kosovarë, ku kalueshmëria është 85.8 për qind, ndërsa gjuha shqipe rezulton të jetë e treta, me 63.9%, pas lëndës së informatikës.

Rezultatet e tjera, sipas lëndëve, janë: Histori 65 për qind; Gjeografi 57.6 për qind; Matematikë 63.8 për qind; Fizikë 48.2 për qind, Kimi 57.9 për qind; dhe Biologji 60.1 për qind.

Këto të dhëna u publikuan në konferencën e mbajtur nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, ku u paraqitën të dhënat e para zyrtare mbi numrin e kalueshmërisë në nivel vendi dhe sipas lëndëve.

Testimit i janë nënshtruar 34 mijë nxënës, në 100 qendra të testimit dhe në 3 gjuhë: shqipe, turke dhe boshnjake. Në monitorim kanë qenë të angazhuar 346 komisionerë.

Azem Guri, këshilltar politik i ministrit të Arsimit, deklaroi se qëllimi i këtij testimi është matja e njohurive të nxënësve, që shërben për regjistrim në shkollat e mesme e të larta.

Publikimi i konkursit për regjistrim në shkollat e mesme e të larta do të bëhet nga Drejtoritë Komunale të Arsimit, më 18 qershor, dhe do të zgjasë për tri ditë: nga 18, 19 deri më 22 qershor.

Në konferencë u bë e ditur se, numri i kalueshmërisë në nivel vendi, në krahasim me vitin e kaluar është përafërsisht i njëjtë, por me disa rritje në lëndë të caktuara.

Top Channel