Studentët e shkëlqyer, në administratë. Klosi: Trajnim tremujor

08/06/2015 00:00

Studentët e masterit të Fakultetit Ekonomik janë ftuar nga ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi, për të qenë pjesë e Administratës shtetërore gjatë këtyre tre muajve.

Klosi ka theksuar se, Administrata shtetërore ka nevojë për të rinj, dhe më të kualifikuarit kanë mundësinë të jenë pjesë e saj edhe më pas.

“Ajo që po bëjmë nën kujdesin e kryeministrit me vendim të Këshillit të Ministrave, është që edhe kjo periudhë tremujore e qëndrimit tuaj në pranë një zyre të shtetit shqiptar do të njihet si eksperiencë pune, duke iu dhënë mundësinë që të aplikoni tashmë më thjesht me ligjin e Shërbimit Civil. Ky projekt ka të mira dhe përfitime sa i përket njohjes suaj me administratën, por ka edhe një efekt ligjor, duke iua quajtur këtë si eksperiencë. Për një numër të caktuar studentësh, të cilët do të kenë vlerësim maksimal, do të ketë më pas edhe vende pune në Administratën Publike”, u shpreh Blendi Klosi, ministër i Mirëqenies Sociale.

“Këshilli i Ministrave u ka ofruar të gjithë studentëve të masterit në universitetet shqiptare për të qenë pjesë e intershipeve dhe praktikave profesionale, me disa klauzola dhe kushte shumë favorizuese për ju”, deklaroi Sulo Hadëri, dekan i Fakultetit Ekonomik.

Deri në fund të muajit qershor, do të mund të përzgjidhen 1900 të rinj, të cilët do të kenë mundësi të kenë një eksperiencë tremujore në Administratën Publike.

Top Channel