Nishani, në Budva; propozon konferencë donatorësh për projektet e Ballkanit

08/06/2015 00:00

Presidenti Bujar Nishani ka marrë pjesë në takimin e kryetarëve të Procesit Brdo-Brijuni, të organizuar në Budva të Malit të Zi. Në fjalën e tij, ai propozoi organizimin e një konference donatorësh në nivel europian, ku vendet e Ballkanit të paraqesin njëzëri projektet e rëna dakord mes tyre.

“Në deklaratën e vitit të kaluar si dhe në të sotmen, të cilën do ta miratojmë së bashku, besoj me të drejtë se kemi vënë theksin tek domosdoshmëria e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik. Po ashtu, kemi rënë dakord se për arritjen e këtij objektivi është e domosdoshme rritja e ndërlidhjes infrastrukturore mes vendeve tona.

Vetëm një rajon i ndërlidhur me infrastrukturë rrugore, hekurudhore, energjetike etj, do t’i bënte tregjet tona më tërheqëse, ekonomitë tona më dinamike dhe më të ndërlidhura edhe me Bashkimin Europian. Duke qenë mirënjohës për mbështetjen e madhe financiare që BE ka dhënë ndër vite për rajonin tonë, mendoj se do të ishte e udhës që së bashku të propozojmë organizimin e një konference donatorësh në nivel europian, për të paraqitur njëzëri projektet e rëna dakord mes nesh”, tha Nishani.

Në takimin e kryetarëve të Procesit të Brdo-Brijunit merrnin pjesë Presidenti i Austrisë, Hajnc Fisher, ai slloven Pahor, Presidentja e Kroacisë Kitaroviç, e Kosovës Jahjaga, i Maqedonisë Ivanov, i Serbisë Nikoliç, Presidenti mikpritës Vujanoviç, dhe tre kryetarët e Radhës së Presidencës së Bosnje-Hercegovinës: Ivaniç, Çoviç dhe Izetbegoviç.

Top Channel