Zgjedhjet e 21 qershorit, fushatë intensive edhe në rrethe

08/06/2015 00:00

Turizmi mbetet një shtyllë e rëndësishme për zhvillimin e rajonit të Lezhës, por më parë duhet ndërtuar infrastruktura e munguar dhe e nevojshme në shërbim të këtij sektori. Për Fran Frrokajn, kandidat i aleancës për punë e dinjtet në bashkinë Lezhë, kjo është pika nga do të nisë programi i tij për turizmin.

“Për banorët e lagjes Margjonaj, kjo zonë është lënë pa asnjë vemendje, dhe kjo për shkak se pushtetarët aktualë kanë patur vetëm interesa personale e demostruar me lëvizjet e vazhdueshme politike të tyre dhe në asnjë rast nuk kanë menduar për qytetarët”, tha Frrokaj në një takim elektoral.

Milo, fushatë në Tepelenë: Sfida e vërtetë, pas 21 qershorit

Kryetari i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo gjatë turit të tij elektoral për zgjedhjet vendore të 21 qershorit, zhvilloi një takim në Tepelenë, me anëtarët dhe simpatizantët. Ai u foli atyre për programin e PDS dhe alternativën që ajo përfaqëson në politikën shqiptare.

“Sfida e vërtetë fillon pas 21 qershorit për ata që do zgjidhen, sepse duhet të mbajnë fjalën, të realizojnë programin që u kanë premtuar njerëzve që u kanë dhënë votën”, tha Milo.

Berat, Mahmutaj: Më shumë të rinj në Këshillin Bashkiak

Kandidati i djathtë për Bashkinë e Beratit organizoi një takim me të rinjë e qytetit, duke i konsideruar ata si mjaft të rëndësishëm për zhvillimin. Takimi u organizua në qendrën historike të kalasë së Beratit.

“Do të mbledh në Këshillin Bashkiak, Këshillin Rinor Konsultativ. Do kem prioritet arsimin tuaj, mbështetjen tuaj financiare, duke krijuar një portofol për të ndihmuar studentët e ekselencës”, tha Mahmutaj.

Vlorë, Dritan Leli: Nxitje biznesit përpunes

Kandidati i majtë për Bashkinë e Vlorës, Dritan Leli është takuar me komunitetin çam në zonën e Babicës. Ai premtoi nxitje të biznesit të përpunimit të vajit dhe qumshtit.

“Më kanë bërë prezent në takimet e tjera dëshirën tuaj dhe mbështetjen për një fabrikë të përpunimit të qumshtit. Ku të gjej që në zyrën time të mbërrijnë projekte të tilla. Do keni përkushtimin tim personal për çdo projekt të rëndësishëm që i përket komunitetit”, tha Leli.

Top Channel