Ndërkombëtarët, mesazhe të forta për reformën në drejtësi, Lu: Gjyqtarët e korruptuar, në burg

08/06/2015 00:00

Në përmbyllje të punës njëmujore për reformën në drejtësi, ndërkombëtarët lëshuan mesazhe të forta për klasën politike, ndërsa i bënë thirrje opozitës që t’i bashkohet asaj.

Ambasadori amerikan deklaroi se gjyqtarët e korruptuar duhet të pushohen nga puna dhe të shkojnë në burg, ndërkohë që ambasadorja e BE-së kërkoi që reforma të jetë e thellë, e plotë dhe pa kompromis.

Donald Lu, ambasador i SHBA: Në sistemin e drejtësisë në Shqipëri, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg. Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakort që ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajne që të gjithë përgjegjësinë për dhënien dhe marrjen e ryshfeteve. Përveçse duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë nga politika. Së fundi, sistemi i drejtësisë duhet të ndjekë penalisht më shumë krime të rënda. Sot shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme politike, ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen. Nëse realizohet, reforma në drejtësi mund të jetë më e rëndësishmja që nga rënia e komunizmit. Gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen.

Romana Vlahutin, ambasadore e BE: Kjo reformë duhet të jetë e plotë, e thellë dhe pakompromis. Kjo reformë do të mundësojë të keni gjyqtarë të pakorruptuar në gjyqësor, t’i japë mundësi çdo prokurori të hetojë, pasi të gjithë janë të barabartë para ligjit. Zarfet me para nuk duhet të funksionojnë, ndaj duhet bërë një operacion si në mjekësi dhe duhet ndarë puna që të mos ketë influencë. Ky komision ka bërë një punë të mirë, por na vjen keq që anëtarët e opozitës nuk janë ulur në karriket e kësaj tryeze të rrumbullakët. U bëj thirrje atyre se kjo nuk është një reformë me një apo dy cikle. Shqipëria ka nevojë për dialog  gjithpërfshirës dhe të gjithë, qoftë pozita, qoftë opozita kanë përgjegjësi të plotë për reformën dhe të gjithë janë të ftuar të marrin pjesë.

Florian Rauning, ambasador i OSBE-së: Me keqardhje konstatoj se në këtë fazë, jo të gjitha forcat politike kanë shfrytëzuar mundësinë për të marrë pjesë në këtë proces. Ato nuk duhet të përjashtojnë veten nga formësimi i së ardhmes së Shqipërisë. Në këtë proces, elementi thelbësor i radhës është shpejtësia.

Marco Leidiker, kreu i zyrës së Komisionit Europian në Tiranë: Analiza e sistemit të drejtësisë në Shqipëri duhet të shërbejë si bazë për vazhdimin e reformës. Duhet filluar duke marrë si kriter masat që ulin mundësitë për korrupsionin në gjyqësor dhe ato që përmirësojnë cilësinë e vendimmarrjes së gjyqtarëve.

Ekspertët e nivelit të lartë, që ishin pjesë e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën në Drejtësi, flasin për rishikim të Kushtetutës.

Gent Ibrahimi, konstitucionalist: Nevojitet një përmirësim rrenjësor i kuadrit ligjor në lidhje me organizimin territorial dhe lëndor të gjykatave, si dhe i procedurave gjyqësore me qëllim shkurtimin drastik të kohës së vendimit dhe ekzekutimin e shpejtë të vendimeve. Tani është koha që të gjithë të tjerët, dhe mbi të gjitha klasa politike shqiptare, të jetë në lartësinë e përgjegjësive të saj dhe të sigurojë mbështetjen politike të nevojshme për reformat.

Sokol Sadushi, ekspert i nivelit të lartë: Formula konsensuale President-Kuvend për emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë, veçanërisht pas ndryshimeve të vitit 2008, konsiderohet e dështuar. Gjykata Kushtetuese nuk arrin të jetë një mjet efektiv, ashtu siç kërkohet nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut në Strasburg. Gjykata e Lartë nuk identifikohet si një gjykatë ligji, apo si një gjykatë fakti. Dështimi i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në procesin e vlerësimit të gjyqtarëve ndërkohë që vijon promovimi i tyre, si dhe i vetë anëtarëve të KLD-së, kryesimi i KLD-së nga Presidenti, apo edhe zëvendësimi prej tij i funksioneve kushtetuese të zv.kryetarit, që nuk përputhen me funksionet kushtetuese të Presidentit në raport me gjyqësorin, kanë dhënë ndikimin e tyre të drejtpërdrejtë në gjendjen në të cilën ndodhet sot sistemi gjyqësor.

Top Channel