SHBA, Gjykata Supreme rrëzon “ligjin e Jeruzalemit” për pasaportat

08/06/2015 00:00

Gjykata Supreme në Shtetet e Bashkuara ka rrëzuar një pjesë të një statuti federal që lejonte amerikanët e lindur në Jeruzalem të vendosnin “Izrael” në vendin e lindjes, në pasaportën e tyre.

Vendimi përbën një fitore për Degën Ekzekutive dhe riafirmon se “pushteti për të njohur shtetet dhe qeveritë e huaja dhe kufijtë e territoreve të tyre i takon ekskluzivisht Presidencës”.

Çështja u ngrit nga familja e një djali 12-vjeçar i lindur në Jeruzalem, i cili kërkoi të vendoste Izraelin si vendin e tij të lindjes në pasaportë.

Votimi për statutin në fjalë në organin më të lartë gjyqësor të Shteteve të Bashkuara përfundoi me rezultatin 6-3.

Ekspertë ligjorë e kanë ndjekur me vëmendje çështjen për të parë se si gjykata do të zgjidhte debatin për ndarjen e pushteteve.

Kur 12-vjeçari Menachem Zivotofsky erdhi në jetë, prindërit e tij kërkuan që të vendosnin Izraelin si vendlindjen e tij në dokumentin e identifikimit, në kuadër të ligjit federal. Por Departamenti i Shtetit refuzoi.

Në 60 vitet e fundit, Shtetet e Bashkuara kanë ndjekur politikën e mos-njohjes së asnjë shteti që ka sovranitet mbi Jeruzalemin.

Në vitin 2002, kur Kongresi miratoi Aktin e Autorizimit të Marrëdhënieve me Jashtë, Presidenti George W. Bush firmosi ligjin, por bëri edhe një deklaratë ku thoshte se kundërshtonte nenin 214 të ligjit, që ishte pikërisht objekt i debatit më të fundit në Gjykatën Supreme.

Në seancë, relatori i trupës gjykuese vendosi se “Kongresi nuk mund të përdorë autoritetin e tij për të përshtatur pasaportat, duke urdhëruar Degën Ekzekutive të qeverisë që të lëshojë njoftime diplomatike, që bien ndesh me pozicionin zyrtar të SHBA sa u takon njohjeve të shteteve të tjera”.

Top Channel